Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda u mbajt shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit Haki Ukshini i cili akuzohet se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
Në seancën e sotme ishin të ftuar dy dëshmitarë Burim Xhemshiti dhe Arben Elshani, ky i fundit nuk ishte i pranishëm në seancë dhe mungesën nuk e kishte arsyetuar.
I akuzuari Ukshini tha se nuk e pranon fajësinë pasi që kur ka ndodhur rasti ai kishte qenë në Gjermani.
Prokurori i shtetit Armend Hamiti në fjalën hyrëse tha se pas administrimit të provave siç janë deklarimi i dëshmitarëve dhe nga provat e tjera do të vërtetohet se i pandehuri Haki Ukshini e ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.
Mbrojtësi i të akuzuarit Ukshini, avokati Veton Rrecaj tha se gjatë administrimit të provave të paraqitura në aktakuzë dhe provave tjera do të vërtetohet se i mbrojturi i tij Haki Ukshini nuk është i involvuar qoftë në mënyrë direkte apo të terthortë në këtë vepër penale.
Seanca e sotme gjyqësore vazhdoi me deklarimin e dëshmitarit Burim Xhemshiti i cili gjykatës i tha se e njeh të akuzuarin pasi që ishin takuar disa herë dhe se kishin biseduar për dorgë. Ai tha se një person nga Shqipëria që e quanin “Daja”, në garazhën e tij i kishte dorëzuar 4 çanta me dorgë e për këtë gjë i kishte treguar edhe Hakisë. Sipas tij Hakia i kishte thënë se ai mund ta siguronte transportin e drogës për në Evropë por që marrëveshje të tillë nuk kishin lidhur asnjëherë. Ai tha se Hakia ishte i interesuar për këtë punë por kishte dyshime për të dhe se kishte pasur frikë. Gjithashtu tha ndihet shumë i pa moralshëm dhe shumë i penduar se çfarë i kishte ndodhur e për këtë ishte i dënuar dhe kishte mbajtur dënim me burg prej 1 viti e 8 muaj.
Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Shpresa Hasaj Hyseni tha se seanca e rradhës do të mbahet me datë 20 shtator 2019, në ora 09:00.
Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë në garazhën e të akuzuarit Burim Xhemshiti, më rastin e kontrollimit nga ana e Policisë janë gjetur dhe konfiskuar 4 thasë të najllonit me 41.265 kg bari me ngjyrë të gjelbër.
Gjithmonë sipas aktakuzës i akuzuari Ukshini së bashku më të akuzuarit e tjerë Burim Xhemshiti, Kushtrim Bytyqi, Hasan Çavusoglu, Albert Hadri, Muharrem Sejdiu dhe me ndihmën e Arsen Brahaj gjatë periudhës prej fillimit të vitit 2017 deri me 30 maj 2018, pa autorizim kanë shpërndarë, shitur, transportuar dhe dërguar në transit substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si nakrotikë, substanca psikotrope ose substanca analoge.
Monitoruese: Blendë Mjeku
Lajmet në fokus