Deputeti nga radhët e LDK-së, Naser Osmani, nuk e ka pranuar fajësinë për shmangie nga tatimi dhe shpërdorim të fondeve, në seancën e mbajtur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
I njejti është i akuzuar që së bashku me Bujar Bukoshin dhe Atdhe Gashin, duke vepruar si anëtar të bordit të Unionit të Fondeve të Republikës së Kosovës (UFORK), janë shmanguar të pagujnë tatimin Administratës Tatimore të Kosovës në vlerë prej 3510 euro dhe shpërdorim të fondeve në vlerë prej 154, 132, 47 euro.
Ndryshe lidhur me këtë çëshjte sot është mbajtur seanca e shqyrtimit kryesor, ku është lexuar aktakuza dhe të pandehurit në fjalë nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat penale që ju vihen në barrë.
Më tutje seanca vazhdoi me fjalën hyrëse të prokurorit special Atdhe Demaj, i cili tha se gjatë ngritjes së kësaj aktakuze, Prokuroria Speciale ka kaluar nëpër një fazë të rëndë të grumbullimit të provave si brenda dhe jashtë Kosovës.
Ndër të tjera Prokurori Demaj, deklaroi se me provat e propozuara në këtë aktakuzë vërtetohen në tërësi veprimet inkrimunuese të të akuzuarve, respektivisht koha, vendi dhe mënyra e kryerjes së veprës penale.
Me fjalën hyrëse ka vazhduar mbrojtja e të akuzuarit Naser Osmani, avokati Florent Latifi, duke potencuar se kemi të bëjmë me një aktakuzë “pa lidhje” të cilës i mungojnë elementet thelbësore apo bazike për periudhën që pretendohet se është kryer vepra penale.
Kurse gjatë fjalës së tij i pandehuri Naser Osmani, shtoi se nga viti 2006 kam punuar pa pagesë në OJQ UFORK.
Ndër të tjera tha se sipas autorizimit të Bujar Bukoshit, ka pasur të drejtën që të jetë nënshkruesi i dytë për tërheqjen e shpenzimeve të zyrës së UFORK-ut nga Banka për Biznes (BPB).
Poashtu Osmani, deklaroi se posedon një dokument nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ku sipas këtij dokumenti vërtetohet se Osmani, nuk ka pasur asnjë obligim financiarë ndaj ATK-së.
Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Atdhe Gashi, avokati Arianit Koci, tha se aktakuza është krejtësisht e parregullt, e bazuar në interpretime të gabuara dhe provave gjysmake. Fakt për këtë është edhe përmirësimi i aktakuzës nga prokurori i tashëm i rastit Atdhe Demaj.
Avokati shtoi se gjykata është e njoftuar që hetuesia nuk i ka mbledhur të gjitha provat apo nuk ka dashur t’i mbledh si duhet ato.
Seanca ka vazhduar me procedure e provave ku është ftuar për të deklaruar eksperti financiar Bujar Qorolli.
Qorolli deklaroi se ka hartuar ekspertizën financiare të datës 21.04.2017, ku në bazë të kësaj ekspertize është konstatuar fakti se të pandehurit Osmani dhe Gashi, kanë pranuar të ardhura, të cilat nuk i kanë deklaruar fare në ATK, dhe nga këto mos deklarime është bërë shmangie nga tatitmi.
Ekspertiza më tutje specifikon se Osmani, ka bërë shmangie nga tatimi në shumë prej 3.510.00 euro, kurse i pandehuri Gashi, ka bërë shmangie nga tatimi në shumë prej 2.667.30 euro.
Seanca vazhdoi me deklarimin e zyrtarit të ATK-së, Fidan Tolaj, lidhur me raportin final të ATK-së.
Më tutje, Tolaj tha se në vitin 2008, në llogarinë e Osmanit, ishin deponuar të holla në vlerë prej 21mij e 241 euro. Andaj, bazuar në këtë raport nga të hollat e deponuara nuk janë paguar tatimet ku si pasojë e kësaj kemi shmangie tatimore.
Sipas aktakuzës, të siguruar nga burimet e Drejtësi Sot, të pandeheurit Naser Osmani dhe Atdhe Gashi, akuzohen se gjatë periudhës 2006-2015, duke vepruar si anëtar të bordit të Unionit të Fondeve të Republikës së Kosovës (UFORK), së bashku me Bujar Bukoshin, ndaj të cilit është veçuar procedura, janë shmanguar të pagujnë tatimin Administratës Tatimore të Kosovës në vlerë prej 3510 euro dhe shpërdorim të fondeve në vlerë prej 154, 132, 47 euro.
Më tutje, aktakuza sqaron se gjatë kësaj periudhe në bashkëkryerje me njëri tjetrin, me qëllim për t’i sjellë vetës apo tjetrit dobi pasuror të kundërligjshmë e kanë përvetësuar pasurin e luajtshme të personave tjerë e cila i’u është besuar atyre. Ku në të ashtuquajturin fondi 3%, qytetarët e Kosovës, të punsuar jashtë vendit duke e parë gjendjen e rënduar ekonomike në atë kohë në Kosovë, jepnin donacione varësisht nga mundësit e tyre financiare 3% deri në 10%, para të cilat deponoheshin në llogarinë e OJQ UFORK, të njëjtit kanë tërhequr me para në dorë (kesh) shumë prej 154.132.47 euro të cilat nuk i kanë arsyetuar se për çfarë i kanë shfrytëzuar.
Monitoruar nga Leutrim Himaj dhe Nita Kusari
Lajmet në fokus