Mentor Bajgora, i akuzuar për veprën penale “Vrasje në tentativë”, në seancën e mbajtur sot, është liruar nga paraburgimi dhe i’u është konfiskuar pasaporta në mënyrë që të sigurohet prania e tij në këtë procedurë.
Mentor Bajgora, po akuzohet që së bashku me babain i tij Demir Bajgora, në vitin 2014 me qëllim kanë dashur ta privojnë nga jeta të dëmtuarin Avdi Bajgora.
Gjyqtari i çështjes, Beqir Kalludra, tha se edhe pse i akuzuari në vazhdimësi ka tentuar që t’i shmanget ftesave të gjykatës, ndaj tij do të ndërpritet masa e paraburgimit dhe e njejta do t’i zëvendësohet me paraqitje në stacion policor.
Poashtu, gjyqtari njoftoi se të akuzuarit do ti konfiskohet dokumenti i udhëtimit – pasaporta, pasi që i njejti në fazën e hetimeve ishte jashtë vendit dhe se ekziston rreziku i ikjes së tij.
Ndryshe, në këtë seancë është shqyrtuar kërkesa për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimi i provave nga ana e mbrojtjes të të akuzuarve.
Prokurorja, Bukurie Gjonbalaj, kundërshtoi propozimin e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, duke theksuar se ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë se të akuzuarit në fjalë, kanë kryer veprën penale që i’u vihet në barrë.
Vlen të ceket se në seancën e parë të shqyrtimit fillestar, të mbajtur me datë 09.07.2019, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me veprën penale për të cilën akuzohen.
Demir dhe Mentor Bajrgora po akuzohen se në vendin e quajtur “Rrezja e Bajgorëve”, më 9 tetor 2014, derisa i dëmtuari Avdi Bajgora dhe axha i tij Musli Bajgora ishin duke u kthyer në drejtim të Podujevës me veturën “Golf 2”, ishin ndalur që të merrnin bagëtinë dhe kishin filluar të fjaloseshin me të akuzuarit.
Sipas aktakuzës, në ato momente kishte filluar përleshja mes tyre dhe Mentor Bajgora, me dashje që të privonte nga jeta të dëmtuarin, e kishte goditur atë me thikë në shpatull, duke i shkaktuar lëndime, ndërsa i akuzuari i dytë Demir Bajrgora, me një sëpatë e kishte goditur në trup të dëmtuarin e më pas ishin larguar nga vendi i ngjarjes.
Me këtë, të akuzuarit pretendohet se kishin kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”.
Monitorues: Rinon Arifi
Lajmet në fokus