Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e Shukri Bujës dhe të tjerëve për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe kryesisht për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale.
Në aktvendimin e Gjykatës së Apelit të siguruar nga Drejtësia Sot thuhet se me rastin e ankesave të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, dhe ankesave të mbrojtësve të akuzuarve Shukri Buja, Nebih Zeqiri, Halit Gashi, Hasim Viseshella, Edmond Rexhepi, Driton Avdiu, anulohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe çështja i kthehet të njëjtës gjykatë në rigjykim dhe vendosje.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, më 5 nëntor 2018, ishte dënuar me tre vjet burgim efektiv, pasi ishte shpallur fajtor për veprën penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje.
Për keqpërdorim të pozitës zyrtare, fajtorë ishin shpallur edhe të akuzuarit e tjerë në këtë rast, Nebih Zeqiri, i cili ishte dënuar me dy vjet e gjashtë muaj burgim, Halit Gashi me gjashtë muaj burgim, Edmond Rexhepi është dënuar me gjashtë muaj burgim, Bajram Rizani me gjashtë muaj burgim.
Ndërsa Hasim Vishesella është shpallur fajtorë për marrje ryshfeti dhe është dënuar me pesë muaj burgim, e me pëlqimin e të akuzuarit mund të zëvendësohet me dënim me gjobë, në shumë prej 2.900€, të akuzuarit Bajram Rizani, i është shqiptuar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muaj, e me pëlqimin e të akuzuarit mund të zëvendësohet me dënim me gjobë, në shumë prej 3.500 €.
Ndaj këtij aktgjykimi ankesë ka ushtruar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit mbi sanksionin penal.
Prokuroria Speciale ka propozuar që aktgjykimi i kundërshtuar i gjykatës së shkallës së parë, të anulohet lidhur me pjesën liruese të tij, dhe lënda t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë, në rigjykim ose të ndryshohet lidhur me pjesën liruese të aktgjykimit ashtu që të gjithë të akuzuarit të shpallen fajtorë për të gjitha veprat penale për të cilat janë akuzuar dhe t’iu shqiptohen dënime më të larta me burgim dhe me gjobë.
Gjykata e Apelit, pasi shqyrtoi të gjitha shkresat e kësaj çështje juridiko–penale, gjeti se Aktgjykimi përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të cilat kushtëzojnë anulimin e tij.
Sipas aktvendimit të Gjykatës së Apelit, me aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, për veprat penale për të cilat janë shpallur fajtorë të akuzuarit nuk është specifikuar vlera e dëmit të shkaktuar apo se kujt i është shkaktuar ky dëm, mirëpo vetëm është specifikuar se të pandehurit me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër që t’i shkaktojnë dëm Komunës së Lipjanit dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Andaj, nga ky konstatim i gjykatës së shkallës së parë, nuk mund të vihet në përfundim se i akuzuari Shukri Buja ka përfituar ndonjë dobi pasurore për vete apo për personin tjetër.
Gjithashtu thuhet se, sipas këtij aktgjykimi as elementi i dashjes për kryerjen e veprës penale nuk është vërtetuar gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Sipas aktakuzës, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngarkon ish-kryetarin e Lipjanit, Shukri Buja, Nebih Zeqiri – zyrtar për çështje pronësore në zyrën e Kryetarit të Komunës së Lipjanit, Halit Gashi – në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, Magbule Sadiku – zyrtare në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, se në kundërshtim me dispozitat ligjore, kanë ndërmarrë veprime për shpronësimin, eksproprijimin dhe më pas kanë tjetërsuar pronat shoqërore dhe komunale, në dobi të “New Co Ferronikel Complex L.LC”.
Monitoruar nga Zanë BUÇINCA
Lajmet në fokus