Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda është mbajtur shqyrtimi gjyqësor ndaj të pandehurit Xhemë Binaku i cili akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Në fjalën përfundimtare prokurori i shtetit Arian Gashi tha se i akuzuari Xhemë Binaku ka kryer veprën penale me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme ashtu sikurse edhe të përshkruar në dispozitiv të aktakuzës, kjo e vërtetuar edhe me prova materiale por edhe me dëshmitë e dëshmitarëve. Ai tha se dëshmia e të dëmtuarit Bardhyl Geci, i cili ka theksuar se i kishte dërguar vazhdimisht të holla të akuzuarit Binaku në emër të pagesës së qirasë për lokalin F8 është konfirmuar edhe nga dëshmitari Sokol Avdiu. Në rastin konkret nëse i krahasojmë dëshmitë e dëshmitarëve del se ekziston një lidhje e pa diskutueshme e fakteve të përshkruar si në dispozitiv të aktakuzës. Gjithashtu tha se i akuzuari në çdo fazë të procedurës e ka mohuar veprën penale që i vihet në barrë, me qëllim të mbrojtjes, duke i ikur përgjegjësisë penale.
Në fund prokurori i shtetit tha se me veprimet e të akuzuarit në rastin konkret formohen të gjitha elementet e veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, duke i kërkuar gjykatës që të akuzuarin Xhemë Binaku ta shpall fajtor dhe ta dënoi sipas ligjit dhe ta obligoj me pagesën e shpenzimeve gjyqësore.
Mbrojtësi i të akuzuarit Binaku, avokati Halil Bytyqi në fjalën përfundimtare tha se nga ky proces gjyqësor me të gjitha provat dhe dëshmitë që gjykata i ka, rezulton se i akuzuari nuk e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet me aktakuzë. Ai tha se nuk janë provuar faktet dhe provat për të cilat organi akuzues pretendon se janë të rëndësishme dhe të bazuara. Avokati Bytyqi shtoi se nga dëshmina e Blerim Sinanit është vërtetuar fakti se ai nuk kishte njohuri që qiraja nga qiradhënësi Bardhyl Geci të kalojë te Xhemë Binaku. Gjithashtu tha se nga paraqitja e mbrojtjes së të akuzuarit Binakut, rezultoi se Bardhyl Geci nuk i kishte dhënë para të akuzuarit e askujt në Komunë.
Avokati Bytyqi në fund tha se nuk ekziston as një provë materiale e cila do të bindë gjykatën që i akuzuari Binaku ka kryer vepër penale e cila i vihet në barrë dhe i propozoi gjykatës që të merr aktgjyim lirues, me të cilin të akuzuarin Binaku ta lirojë nga akuza, ndërsa sa i përket kërkesës pasurore juridike, ai tha se i dëmtuari ka hequr dorë nga kjo kërkesë gjithashtu edhe nga ndjekja penale.
I akuzuari Binaku tha se e mbështetë në tërësi fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij. Ai tha se kjo ishte hera e parë që ishte duke u gjykuar për një çështje penale dhe nuk kishte as një kundërvajtje. Ai kërkoi nga gjykata që të lirohet nga akuza pasi që kjo çështje ishte cenim i personalitetit dhe karakterit të tij.
Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Suzana Çerkini tha se shpallja e aktgjykimit do të bëhet me datë 14 gusht 2019, në ora 09:00.
Sipas aktakuzës së prokurorisë i pandehuri me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme e ka keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë viteve 2008 e deri në vitin 2012, në cilësinë e personit zyrtar në administratën e Komunës së Drenasit. I pandehuri ka kërkuar para nga i dëmtuari Bardhyl Geci në emër të qirasë së lokalit F8 i cili gjendet në Qendrën Tregtare në Drenas. Gjithmonë sipas aktakuzës i pandehuri ka marrë qira çdo muaj nga 300 euro, ku gjithësej shuma ka arritur në 10.800 euro dhe se këto pagesa nga ana e të dëmtuarit nuk i ka evidentuar në emër të komunës.
Monitoruese Blendë Mjeku dhe Biondina Zeneli
Lajmet në fokus