FERIZAJ – Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, është mbajtur shqyrtimi fillestar, në çështjen penale ndaj të akuzuarit Bekim Mehmeti, i përfaqësuar me mbrojtësin e tij avokat Fitim Shabani, për shkak të veprës penale asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi në vendin e punës.
Para fillimit të seancës, Prokurori i Shtetit Agim Kuka dorëzoi plotësimin e aktakuzës, pas kërkesës nga Gjykata Themelore në Ferizaj, që të bëhet veçimi i palëve të akuzuara në këtë procedurë.
Pas leximit të aktakuzës, i akuzuari nuk pranoi fajësinë për veprën penale për të cilën ngarkohet, shtoi se e gjithë procedura punuese në ditën kritike, ishte realizuar konform rregullave.
Përfaqësuesi juridik i Telekomit Ramadan Bunjaku, tha se i kanë paraqitur kundërshtimet lidhur me aktakuzën, duke shtuar se e njëjta është tërësisht e pabazuar dhe ftoi Gjykatën që pas shqyrtimit të provave, ta hedhë poshtë si të pabazuar.
Gjyqtari gjykues Adem Shabani, i njoftoi palët për të drejtën e tyre, në kundërshtimin e aktakuzës në afatin prej 30 ditësh.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, kishte ngritur aktakuzë kundër të pandehurëve Bekim Mehmeti menaxher në PTK dhe ndaj subjektit juridik “Telekomi” i Kosovës , për shkak se në vitin 2016, në Ferizaj, i pandehuri i dytë nuk kishte ndërmarrë masat e sigurisë në vendin e punës dhe i pandehuri i parë, nga pakujdesia, duke vepruar në kundërshtim me rregullat teknike të sigurisë në vendin e punës, kishin dërguar të dëmtuarin, tani të ndjerin Naser Qerimin, për të bërë demontimin e kabllove të telefonit, nga shtylla e drurit, në mënyrë që të bëhet ndërrimi i shtyllës së telefonit, e pasi që i njëjti kishte hypur në shtyllë, pa pasur mjetet dhe pajisjet adekuate të punës, rrëzohet dhe bie me gjithë shtyllë, ku pëson lëndime të rënda trupore si pasojë e të cilave ka ndërruar jetë, në Emergjencë në Ferizaj, me këto veprime kanë kryer veprën penale asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi në vendin e punës.
Monitorues: Mentor Buzhala
Lajmet në fokus