FERIZAJ – Gjykata Themelore në Ferizaj, aprovoi kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për ekstradimin e shtetasit të Maqedonisë së Veriut, i arrestuar në Ferizaj, i dënuar nga Gjykata Kantonale në Luzern për Dhunim dhe Posedim të lëndëve narkotike, Gazi Selmani.
Autoritetet e Zvicrës kishin kërkuar ekstradimin e tij, për shkak se ndaj të njejtit ishte shpallur Aktgjykim dënues nga Gjykata Kantonale në Luzern, në vitin 2016, me të cilin ishte dënuar me 4 vite e 3 muaj burgim efektiv.
I njejti poashtu kishte urdhërarrest ndërkombëtar nga Autoritetet e Zvicrës – kërkesë nga Interpol.
Paraprakisht, në seancë Prokurori i Shtetit Veton Shabani parashtroi kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, duke deklaruar se janë plotësuar kushtet për parashtrimin e kërkesës si dhe i propozoi Gjykatës që të njejtën ta aprovoi.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, parashtron kërkesën për ekstradim, me që ekziston një kërkesë nga Institucionet e Zvicrës, urdhërarrest ndërkombëtar nga INTERPOL si dhe Aktgjykimi nga Gjykata Kantonale në Luzern andaj konsideroj që janë plotësuar kushtet e parapara me marrëveshje si dhe me ligjin për Bashkëpunim Ndëkombëtar Juridik”.
I pandehuri i përfaqësuar nga mbrojtësi i tij avokat Avni Ibrahimi, u pajtua me propozimin që të zbatohet procedura e thjeshtësuar e ekstradimit, i njëjti tha se këtë e bën me vullnet dhe se heq dorë nga e drejta e ankesës.
Trupi gjykues i kryesuar nga Gjyqtari Ibrahim Idrizi, pas këshillimit dhe votimit mori vendim që të lejohet ekstradimi i thjeshtësuar i të pandehurit, me që janë plotësuar kushtet për realizimin e këtij ekstradimi.
Monitorues: Mentor Buzhala
Lajmet në fokus