Prishtinë- Sot ishte planifikuar të jepej fjala pëfundimtare në gjykimin për terrorizëm ndaj të akuzuarve: Bujar Behrami, Resim Kastrati, Gramos Shabani, Albert Ademaj, Leotrim Musliu dhe Edona Haliti.
Ata po gjykohen për planifikim të sulmeve terroriste brenda dhe jashtë Kosovës, ndaj diskotekave në Graçanicë, sulme në Kishën Ortodokse në Mitrovicën veriore, sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it në Kosovë dhe sulme terroriste në Francë e Belgjikë.
Mirëpo me të filluar seanca Prokurori i Prokurorisë Speciale Afrim Shefkiu, propozoi që në cilësinë e provave të bëhet leximi i procesverbaleve të marrjes në pyetje të të akuzuarve në stacionin policor në Prishtinë dhe në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Kurse, mbrojtja e të akuzuarit Bajrami, avokati Arbër Fazliu, e kundërshtoi propozimin e prokurorisë me arsyetimin se me të hyrë në Kosovë, të mbrojturit të tij, i’u është caktuar një avokat sipas detyrës zyrtare dhe se sipas tij, nuk është njoftuar me të drejtat e tij si në stacionin policor ashtu edhe në prokurori.
Në vazhdim të seancës, propozimin e prokurorit Shefkiu, e kundërshtoi edhe mbrojtësi i të akuzuarit Kastrati, avokati Hamdi Jashanica, duke thënë se nuk ka bazë ligjore për marrjen e këtyre provave.
Mirëpo lidhur me këto prova dha mendmin e tij edhe i akuzuari Resim Kastrati, i cili shtoi se leximi i procesverbaleve të deklaratave të dhëna nuk eshte konform ligjeve, dhe deklaroi se është marrë ne pytje rreth 6 ore pa avokat mbrojtës.
Poashtu ndër të tjera tha se është torturuar fizikshit edhe psiqikshit, të gjendje e kishte vëtetuar para gjyqtarit të procedurës paraprake.
Kundërshtime rreth propozimit të prokurorit Shefkiu, dhanë edhe mbrojtja e të akuzuarve Shabani, Musliut, Ademajt dhe Halitit.
Mirëpo pavarsisht kundërshtimeve nga mbrojtja, gjykata aprovoi propozimin për leximin e deklaratave të të pandehurve gjatë fazës së hetimeve.
Më tutje, në këtë seance pritej te jepej fjala përfudimtare, mirpo mbrojtësi i të akuzuarës Edona Haliti, avokati Aziz Rexha, kërkoi që kjo seance të shtyhet me arsyetimin se kishte për të marrë një anëtar të familjës në Aeroportin e Prishtinës, andaj i duhej ta liroj sallën e gjykimit.
Andaj, gjyqtari i rastit Mustaf Tahiri, caktoi seancën e radhës me datë 30 gusht 2019.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 4 tetor 2018, të akuzuarit Bujar Behrami e Resim Kastrati, gjatë periudhës kohore nga muaji dhjetor 2017 e deri me datën 29 qershor 2018, kanë përgatitur sulme terroriste në Kosovë.
Sipas prokurorisë, i akuzuari Bujar Behrami ka tentuar ta krijojë grupin me emër “Ndihmëtarët e shtetit Islam në tokën e shqiponjave”, për të vepruar në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri. Veçmas janë përgaditë për sulme terroriste në diskotekat “Insomnia” dhe “Kamboxha” në Graçanicë, si dhe ndaj kishës ortodokse afër kafenesë “Moskva”, në pjesën veriore të Mitrovicës, si dhe vende të tjera të frekuentuara me qytetarë.
Në aktakuzë thuhet se Resim Kastrati është angazhuar në drejtim të furnizimit me armë të zjarrta dhe materiale plasëse, si dhe gjetjen e personave për vendosjen e jelekëve me eksploziv.
Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kanë kryer veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, lidhur me veprën penale “kryerja e veprës terroriste”.
I akuzuari Bujar Behrami, sipas pretendimit të prokurorisë, gjatë muajit prill – maj të vitit 2018, me qëllim të kryerjes së akteve terroriste në Kosovë, e gjatë komunikimit me personin e quajtur Mursel Murseli, i njëjti nga Gjermania ka dërguar mjete financiare për të dyshuarin Resim Kastrati, me qëllim të blerjes së materialeve eksplozive dh armëve të zjarrta.
Në aktakuzë thuhet se me datë 20 prill 2018, 24 prill 2018 dhe 14 maj 2018, përmes institucioneve për transferimin e parave “Money Gram” dhe “Western Union”, tërthorazi ka dërguar shumën e të hollave prej 2629.45 euro, 3117.01 euro dhe 3255.00 euro (gjithsej 9001.46 euro), në emër të personit të quajtur Petrit Gashi (dëshmitar anonim) i shpallur nga Gjykata, e që edhe të njejtat transaksione me implementimin e masave të fshehta të vëzhgimit dhe hetimit janë konfirmuar nga vet i dyshuari Behrami.
Me këtë, sipas prokurorisë, Bujar Behrami, ka kryer veprën penale “lehtësimi në kryerjen e terrorizmit”.
Aktakuza e ngarkon edhe Gramos Shabanin me veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, lidhur me veprën penale “kryerja e veprës terroriste”.
Kjo sepse, sipas aktakuzës, gjatë muajit maj e deri më 02 qershor 2018, i akuzuari Gramos Shabani, me dashje direkte ka planifikuar përgatitjen e akteve terroriste në Belgjikë dhe në Francë, meqë është edhe shtetas belg.
Sipas prokurorisë, ai ka planifikuar sulm vetëvrasës me eksploziv në vende të frekuentuara me qytetarë, e që me implementimin e masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit, përkatësisht monitorimin e bisedave në vende publike dhe private nga ana e Policisë së Kosovës – DKT, në Prishtinë, më 05 qershor 2018, i njëjti arrestohet.
Poashtu, Gramos Shabani, me 02 qershor 2018, me dashje direkte i ka bërë thirrje bashkëshortes së tij Edona Haliti nga Hajvalia, në drejtim të përgatitjes së akteve terroriste në Kosovë, duke e udhëzuar që të bëjë sulm vetëvrasës me materie eksplozive me automjet, ndaj pjesëtarëve të KFOR – it në Kosovë dhe në vendet e tjera të frekuentuara me qytetarë, e duke e planifikuar edhe furnizimin me armë të zjarrta dhe materiale eksplozive, me qëllim të kryerjes së aktit terrorist.
Për këto veprime, prokuroria e ngarkon me veprën penale “rekrutimi për terrorizëm”.
E akuzuara Edona Haliti, sipas aktakuzës, gjatë muajit maj e deri me 2 qershor 2018, duke vepruar sipas udhëzimeve të të akuzuarit Gramos Shabani, është përfshirë bë veprime inkriminuese të përgatitjes së akteve terroriste në Kosovë, duke planifikuar të bëjë sulm vetëvrasës me materie eksplozive në automjet ndaj pjesëtarëve të KFOR – it në Kosovë, si dhe në vende të tjera të frekuentuara me qytetarë, duke u furnizuar me armë të zjarrta dhe materie plasëse me qëllim të kryerjes së aktit terrorist.
Për shkak të këtyre veprimeve, aktakuza e ngarkon Edona Halitin me veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, lidhur me veprën penale “kryerja e veprës terroriste”.
Dy të akuzuari e tjerë Albert Ademaj dhe Leotrim Musliu, prokuroria i akuzon se nga muaji dhjetor 2017, e deri më 29 qershor 2018, në Prishtinë dhe vende të tjera në Kosovë, edhe pse kanë qenë në njohuri dhe të informuar se Bujar Behrami dhe Resim Kastrati janë duke përgatitë akte terroriste në Kosovë, nuk i kanë lajmëruar në polici për veprimet inkriminuese për veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Me këtë, Albert Ademaj dhe Leotrim Musliu, sipas aktakuzës, kanë kryer veprën penale “moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre”.
Kurse të akuzuarit Leotrim Musliu, i vihet barrë edhe vepra penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Monitoruar nga Leutrim Himaj dhe Nita Kusari
Lajmet në fokus