Dënohet me një vit burg dhe 1000 euro gjobë, i akuzuari për posedim të pautorizuar të drogës

Gjykata Themelore , Gjilan

Monitoruar nga Vullnet Bugaqku

14:25 / 02 Gusht 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Gjykata Themelore në Gjilan, e ka dënuar me një vit burg efektiv dhe 1000 euro gjobë, Besim Morinën nga Gjilan, sepse është gjetur fajtor për veprën penale: “Blerja posedimi e shpërndarja e pautorizuar e narkotikëve”, raporton Drejtësia Sot.

Sipas akuzës së Prokurorisë në Gjilan, Besim Morina akuzohet për veprën: “Blerja posedimi e shpërndarja e pautorizuar e narkotikëve”, për faktin se i është gjetur një sasi prej 1034 gram drogë e llojit “ Marihuanë” e paketuar në 4 kutia në veturën e tij. Sipas akuzës, kjo sasi e drogës ishte gjetur nga Policia gjatë momentit kur i pandehuri ishte ndaluar për kontroll rutinore, në fshatin Roganë të komunës së Kamenicës.

Gjatë komunikimit të vendimit gjyqtari Haziri, njoftoi se ky vendim erdhi si pasojë që i pandehuri ka pranuar fajësinë dhe ka shpreh pendim dhe ka premtuar se nuk do të bëj në të ardhmen veprime të tilla.

Po ashtu, në vendimin e shpallur nga gjyqtari Haziri, u vendos që ndaj të pandehurit të i hiqet masat e paraburgimit, e po ashtu i njëjti u detyrua t’i paguaj shpenzimet e paushallit gjyqësor, në shumë prej 35 eurove.

Vlen të theksohet se paraprakisht sot paradite ishte mbajtur një shqyrtim gjyqësor fillestar, i udhëhequr nga gjyqtari Zyhdi Haziri, ku u procedua fillimisht me leximin e aktakuzës, pastaj me deklarimin e të pandehurit rreth fajësisë, si dhe me fjalën përfundimtare të palëve.

Menjëherë pas leximit të aktakuzës nga prokurori Shaban Spahiu, i pandehuri Morina mori fjalën dhe deklaroi se e pranon në tërësi fajësinë për veprën penale që i është vënë në barrë në aktin akuzues.

Ky pranim i fajësisë, nuk u kundërshtua as nga Prokurori e as nga avokati i tij.

Meqenëse nuk pati vërejtje lidhur me pranimin e fajësisë, gjyqtari Haziri menjëherë pas 20 minutave vendosi që të bëhet shpallja e vendimit për këtë lëndë penale.

Monitorues, Vullnet Bugaqku