Gjykata Themelore në Pejë, ka vazhduar mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor ndaj Besfort Kabashi, Fatlum Bytyqi, Norik Hashani, Leutrim Bajselmani, të akuzuar për veprën penale të “Grabitjes”.
Shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve, fillimisht është dëgjuar dëshmitari Gent Sopa, i cili ka deklaruar se deklarata e tij e dhënë në polici nuk është plotësisht e saktë për shkak të frikës dhe dhunës së përdorur nga policia në Stacionin Policor në Prizren. I njejti ka shtuar se të akuzuarin Fatlum Bytyqi , e ka shok më të është takuar ditën kritike të njejtit i ka huazuar një veturë të shokut të tij pasi që Fatlumi kishte nevojë.
Më tutje u dëgjua dëshmitari Diamant Tahirukaj, ish zëvendës menaxher i restorantit “Viva Fresh” në Deçan, i cili ka deklaruar se ka pasur takime me Albanin i cili është i dyshuar për këtë çështje penale si dhe të akuzuarin Norik, ndërsa të akuzuarit tjerë nuk i njeh fare. I njejti ka shtuar se Albani dhe Noriku një javë para grabitjes e kanë pyetur lidhur me pazarin e “Viva Freshit”, dorëzimin e pazarit, personin që e bënë dorëzimin e pazarit, si dhe a kanë siguri gjatë kryerjes së kësaj detyre. Dëshmitari Tahirukaj, deklaroi se kanë diskutuar lidhur me këtë çështje mirëpo nuk kishte dyshuar se të njëjtit kishin qëllime të këqija.
Pas dëgjimit të dëshmitarëve kryetari i trupit gjykues Sami Sharraxhiu, ka vazhduar shqyrtimin gjyqësor me leximin e provave materiale. Ndryshe pas leximit të provave shqyrtimi gjyqësor është ndërprerë për të vazhduar me datë 25 tetor 2019.
Vlen të përmendet se Alban Gashi, i dyshuar për këtë çështje penale gjendet në arrati, raporton “Drejtësia Sot”
Sipas aktakuzës së ngritur në mars të vitit 2019, thuhet se të akuzuarit në parkingun e Qendrës Tregtare “Viva Fresh “, në Deçan, duke vepruar si anëtar të grupit dhe më përdorim të revoles kanë sulmuar jetën dhe trupin e të dëmtuarës Albiona Ramosaj dhe Valon Bozhdaraj, nga Deçani. Me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme në shumë prej 8.543.67, euro.
Më tutje aktakuza i sqaron veprimet e të akuzuarve, ku të njëjtit në momentin kur e dëmtuara Albiona dhe i dëmtuari Valon dalin nga “Viva Fresh”, me qëllim te dërgimit të pazari të “Viva Freshit”, për në bankë të akuzuarit bashkërisht nën kërcenim të armës i marrin çante nga krahu të dëmtuarës, në të cilën çante gjendej edhe shuma e lartëcekur. Me çka kanë kryer veprën penale te “Grabitjes”.
Ndërsa vlen të përmendët se për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”, akuzohet vetëm Besfort Kabashi.
Monitoruese: Selvije MORINA, Blerta KELMENDI
Lajmet në fokus