Caktohet masa e arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarit për kultivimin e “kanabisit” në shtëpinë e tij

Gjykata Themelore , Gjilan

Monitoruar nga Ronita Halimi

14:27 / 29 Gusht 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Gjykata Themelore në Gjilan ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit E.A. Të njejtit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 (tridhjetë ditëve).

 

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari E.A pa autorizim ka kultivuar substancë narkotike të llojit “kanabis sativa”, raporton Drejtësia Sot.

 

I dyshuari kishte kultivuar dy bimë në oborrin e shtëpisë së tij dhe atë me gjatësi njëra 2 metra dhe tjetra 195 centimetra, si dhe dy bimë në saksi luleje në katin e tretë të shtëpisë.

Gjithnjë sipas kërkesës së Prokurorisë, afër saksisë janë gjetur edhe 61.9 gram “marihuanë” e kultivuar. Për më tepër, te shtëpia e të njejtit është gjetur edhe një armë e zjarrtë gjysmë automatike të cilën e kishte poseduar pa leje, si dhe tetë gëzhoja.

 

Me këto veprime E.A, dyshohet të ketë kryer veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurrës së kokainës ose bimëve të kanabisit” si dhe veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

 

Ndryshe, me Kodin Penal, për veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurrës së kokainës ose bimëve të kanabisit” parashihet dënim me burg deri në 10 vite, njofton Drejtësia Sot.

 

Lidhur me këtë rast, sot në gjykatën e Gjilanit është mbajtur seanca dëgjimore ku prokurori Agron Uka mbeti pranë kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit. Prokurori Uka mbështeti kërkesën e tij duke theksuar se nga të dhënat policore i dyshuari është gjykuar edhe më herët për vepra të ndryshme penale. Ndër të tjera, Uka tha se ekziston rreziku që i njejti të ndikojë në dëshmitarë dhe ta përsërisë veprën penale.

 

Ndërkaq, avokatja e të dyshuarit E.A e caktuar sipas detyrës zyrtare Vlora Sherifi e kundërshtoi kërkesën e prokurorisë. Gjatë fjalës së saj, ajo tha se i dyshuari në deklaratat e tij në polici e ka pranuar fajësinë për veprat penale, andaj nuk ekziston rreziku të ndikojë në dëshmitarë të cilët për momentin nuk janë të identifikuar nga ana e prokurorisë. Sherifi i propozoi gjykatës që të dyshuarit t’ia shqiptojë masën e paraqitjes në stacionin policor.

 

Gjyqtari kujdestar në Departamentin e Krimeve të Rënda Aziz Shaqiri, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka vlerësuar se masa e arrestit shtëpiak  në kohëzgjatje prej 30 (tridhjetë) ditëve është efektive për sigurimin e pranisë së të dyshuarit dhe rrjedhjen normale të procedurës penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit në afat prej 24 orëve.

 

Monitorues:  Ronita Halimi dhe Vullnet Bugaqku