Gjakovë- Sot gjatë shqyrtimit të mbajtur në gjykatën e Gjakovës u aprovua propozimi i Prokurorit të Prokurorisë Speciale Atdhe Dema, raporton Drejtësia Sot.
I njejti i propozoi gjykatës që lënda penale kundër ish zyrtarit kryesor financiar të Komunës së Gjakovës, Gani Ramaj, për veprën penale keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar, ti bashkohet lëndës së vjetër, atë të Ish Kryetarit të Komunës së Gjakovës tashmë ministër i infrastrukturës Pal Lekaj, Ismet Isufi dhe Veli Hajdaraga për shkak të veprës penale në bashkëkryerje të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar. Kjo me arsyetimin se aktakuza dhe shkresat e tjera të lëndës janë të njejta dhe si shkak i ekonomizimit të kohës.
Kujtojmë se rasti i Gani Ramës është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, pasi që gjykata e Gjakovës, të njejtin e kishte liruar nga akuza e Prokurorisë, për shkak se nuk ishte vërtetuar se i akuzuari kishte kryer vepër penale.
Vlen të ceket se në këtë çështje penale në fillim ishin zhvilluar hetimet kundër Gani Ramës.
Aktakuzën ndaj Ramës e ngriti Prokuroria Speciale e Kosovës ku akuzon Ramën se “e kishte lejuar alokimin dhe propozimin e mjeteve monetare lidhur me pagesat që i janë bërë biznesit DPT “UNION-VL” me pronar Veli Hajdaraga për shpërndarjen e subvencioneve”.
Në aktakuzë thuhet se Rama këto mjete i kishte lejuar “pa asnjë procedurë për shpërndarjen e subvencioneve, pa kontratë si dhe pa pasur fatura të rregullta apo dokumentacion tjetër përcjellës, ashtu siç është përcaktuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave publike dhe rregullat financiare”.
Aktakuza precizon edhe shumën që prokuroria pretendon se keqpërdori Rama.
“Shuma e keqpërdorur nga i pandehuri dhe të tjerët është 218,956.67 euro,” ndër të tjerash thuhet në aktakuzë.
Monitoruan: Jeta Vula dhe Qendresa Bytyqi
Lajmet në fokus