Prokuroria Themelore në Prizren Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër Ertan Simitçi Drejtor në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Komunën e Prizrenit dhe Z.A ushtrues detyre në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Komunën e Prizrenit në vitin 2015.
Prokuroria në Prizren ka dyshim të bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Drejtësia Sot” mëson se aktakuza ka të bëjë me periudhën e vitit 2016, kur drejtori aktual Ertan Simtçi ka qenë gjithashtu drejtor i Financave në qeverisjen e Ramadan Mujës të PDK-së.
I pandehuri Ertan Simitçi akuzohet se në periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2016 në Prizren, në cilësinë e Drejtorit në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij zyrtare duke keqpërdorë pasurinë publike.
Qëllimi i këtyre veprimeve ishte që të përfitoj çfarë do dobie për persona tjerë juridik: TV Opinion, TV Besa dhe TV Prizreni, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive si dhe Rregulloren e Thesarit, për transmetimin e spoteve reklamuese, rreth pagesave të tatimit në pronë në Komunën e Prizrenit.
I njëjti ka lidhur kontratë me TV Opinion, TV Besa dhe me TV Prizreni, ku tre televizionet arrin shumën prej 11.800 euro në vit
Sipas biografisë të publikuar në webfaqen e Komunës së Prizrenit, Simitçi pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vitin 2014 është emëruar për herë të parë drejtor i Drejtorisë së Ekonomisë dhe Financave në Komunën e Prizrenit.
Nga data 16 janar 2018 Ertan Simitçi është emëruar për herë të dytë në Pozitën e drejtorit në Drejtorinë e Ekonomisë dhe Financave në qeverisjen e Mytaher Haskukës, raporton “ Drejtësia Sot”.
Kurse i pandehuri Z.A., në periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2015 në Prizren, në cilësinë e ushtruesit të detyrës të Drejtorit në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare duke keqpërdorë pasurinë publike.
Kështu, ai me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për persona tjerë juridik: TV Opinion, TV Besa dhe TV Prizreni, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive si dhe Rregulloren e Thesarit, lidh kontrata për transmetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Financave të Komunës së Prizrenit.
Në këtë mënyrë, Z.A, lidh kontrata me TV Opinion, TV Besa dhe TV Prizreni, për tre televizionet arrin shumën prej 11.800 euro në vit.
Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit Ertan Simitçi dhe Z.A kanë përmbushur elementet e veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar sipas KPRK-së.
Vlen të përmendim se i pandehuri Ertan Simtçi aktualisht ushtron detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Ekonomisë dhe Financave në Komunën e Prizrenit.
Monitorues: Lorik KABASHI
Lajmet në fokus