Zyrtari i Komunës së Drenasit i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare deklarohet i pafajshëm, pretendon se i dëmtuari e ka mashtruar

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga

20:20 / 26 Korrik 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda u mbajt shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit Xhemë Binaku, i cili akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokurori i shtetit Arian Gashi tha se pasi që dëshmitarët Sokol Avdiu dhe Herolina Binaku, janë jashtë vendit e për arsye të mos zvarritjës së procedurës, andaj i propozoi gjykatës që deklaratat e tyre të lexohen.

Pala mbrojtëse e të akuzuarit Binaku, avokati Halil Bytyqi e kundërshtoi propozimin e prokurorit, ai tha se sipas informatave që ka, dëshmitari Avdiu ka dhënë deklaratë vetëm në stacionin policor por nuk ka dhënë deklaratë në prokurori apo në gjykatë. Pasi që deklarata e tij për ndriqimin e këtij procesi gjyqësor është kyqe që të vërtetohen faktet për vërtetimin e aktakzës ose kundërshtimin e saj, avokati Bytyqi i propozoi gjykatës që të bëjnë përpjekje që të sigurojnë praninë e Sokol Avdiut.

Prokurori i shtetit tha se sa i përket deklaratës së dëshmitarit Sokol Avdiu e njëjta është dhënë sipas autorizimeve të prokurorisë dhe se e njëjta mund të konsiderohet se është dhënë edhe në prokurori.

Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Suzana Çerkini tha se do të lexohen deklaratat e dëshmitarve sepse në situatën e tillë dëshmitarët janë të paarritshëm për gjykatën, gjenden jashtë vendit ndërsa adresë tjetër gjykata nuk posedon. Ajo gjithashtu tha se pritja pa as një njoftim do të prolongonte këtë proces gjyqësor.

Seanca gjyqësore vazhdoi me mbrojtjen e të akuzuarit Binaku, i cili gjykatës i tha se e konsideroi gabim të tij personal pasi që se ka bërë pagesën e qirasë përmes bankës, por pagesat i kishte pranuar në dorë. Ai tha se nuk ka qenë në dijeni se i kujt ishte lokali f8, e as transaksionet. Ai deklaroi se ajo pjesë ishte zonë e bastoreve dhe as një herë nuk kishte shkuar atje edhe pse e kishte pasur lokalin e tij. Ai tha se Sokol Avdiun nuk e njeh, e as një njeri tjetër nuk i kishte dorëzuar para sepse nuk ka pasur arsye e as logjikë.

I akuzuari tha se në seancat e kaluara është keqkuptuar pozita e kryeshefit, kjo pozitë ka qenë në kohën e UNMIK-ut, ndërsa në vitin 2007 ajo pozitë ka përfunduar dhe komuna nuk ka pasur kryeshef ekzekutiv. Pas vitit 2007, ai tha se ka ushtruar pozitën e Drejtorit të Administratës së Përgjithshme të Komunës, duke bërë menaxhimin e punëve të administratës, të buxhetit, sektorin publik, logjistikën, arkivën dhe ofiqarinë. Ai tha se kontratën për qiranë e lokalit f10 e kishte ndërprerë ai dhe jo Bardhyli, për arsye të mos pagesës me kohë.

Në pyetjet e prokurorit të shtetitsh i akuzuari, gjykatës i tha se Bardhyli në seancë ka thanë se ka pretendime për ta marrë lokalin f10 përmes lokalit f8, ai kishte dashur të bëj zhvatje, mashtrim për me marrë lokalin f10.

Prokurori gjithashtu e pyeti se “Ju jeni një njeri intelektual dhe keni kryer fakultet nuk jeni qytetar laik, pse zhvatjet nuk i keni lajmëruar në polici? I akuzuari u përgjigj “ idea për me lajmëru rastin ishte e imja. I kam thanë Bardhylit ose rregulloj punët ose të qova në polici”. Prokurori përsëri e pyeti se a e ka lajmëruar rastin në Polici, i akuzuari u përgjigj që jo. Më tutje i akuzuari Binaku shtoi se lokalin e ka blerë në një konkurs publik dhe ishte në emër të gruas.

Seanca për fjalën përfundimtare do të mbahet me datë 08.08.2019, në ora 11:00.

Sipas aktakuzës së prokurorisë i pandehuri me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme e ka keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë viteve 2008 e deri në vitin 2012, në cilësinë e personit zyrtar në administratën e Komunës së Drenasit. I pandehuri ka kërkuar para nga i dëmtuari Bardhyl Geci në emër të qirasë së lokalit F8 i cili gjendet në Qendrën Tregtare në Drenas. Gjithmonë sipas aktakuzës i pandehuri ka marrë qira çdo muaj nga 300 euro, ku gjithësej shuma ka arritur në 10.800 euro dhe se këto pagesa nga ana e të dëmtuarit nuk i ka evidentuar në emër të komunës.

Monitoruese: Blendë MJEKU