Zyrtari i akuzuar për 5 vepra penale, negocion me prokurorinë, marrëveshje për pranim të fajësisë

Gjykata Themelore , Prizren

Monitoruar nga Lorik Kabashi

15:27 / 17 Korrik 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në seancën e sotme gjyqësore kundër ish-Zyrtarit të Administratës në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve (QRA) në Prizren, Shkodran Baxhaku, është aprovuar kërkesa e mbrojtësit të tij avokatit Skënder Morina që të arrihet marrëveshja mbi pranimin e fajësisë.

I akuzuari Shkodran Baxhaku po gjykohet për pesë vepra penale, tre ndër të cilat kanë të bëjnë me korrupsion, raporton “Drejtësia Sot”.

Prokurori i Shtetit Mehdi Sefa, propozoi që shqyrtimi i sotëm gjyqësor të ndërpritet, pasi që nga pala mbrojtëse ka pranuar një propozim për të hyrë në negocim të marrëveshjes për pranim të fajësisë.

Avokati mbrojtës Morina deklaroi se ekziston vullneti i të akuzuarit për të hyrë në marrëveshje për pranim të fajësisë me negocim dhe pranon propozimin e prokurorit Sefa që të caktohet një seancë gjyqësore, në të cilën do të paraqitet marrëveshja.

Kryetarja e trupit gjykues Rahima Elezi, e aprovoi propozimin e palëve për negocimin e marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë.

Seanca e radhës caktohet për datën 3 shtator 2019 në ora 13:15, në të cilën palët do të paraqesin marrëveshjen e arritur ndërmjet tyre.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren të datës 29 mars 2019, Shkodran Baxhaku në cilësinë e personit zyrtar, akuzohet për pesë vepra penale.

Kështu, ai akuzohet për dy vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, një vepër penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar, një vepër penale të manipulimit me prova dhe një vepër penale të cenimit të fshehtësisë së korrespodencës dhe bazave të të dhënave kompjuterike sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Monitorues: Lorik KABASHI & Uran ZOGAJ