Gjykata Themelore në Mitrovicë, e ka dënuar me 6 muaj burgim efektiv, të akuzuarin Bastri Arifi për veprën penale “rrezikim i trafikut publik” dhe “mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”.
Me pëlqimin e të akuzuarit, gjyqtari i çështjes Rrahman Beqiri, ka zëvendësuar dënimin me burgim në dënim me gjobë, në shumë prej 1400 euro.
I akuzuari po ashtu u obligua që në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 20 euro. Ndërsa për ekspertizën e komunikacionit shumën prej 20 euro, ekspertizën mjekoligjore shumën prej 40 euro si dhe 30 euro për fondin për kompenzimin e viktimave, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Pala e dëmtuara u udhëzua në kontest civil lidhur me kërkesën pasurore-juridike.
Aktakuza e 22 shkurtit 2018, të akuzuari Bastri Arifi, e ngarkon me veprat penale “Rrezikim i Trafikut Publik” dhe “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”.
Ndryshe sipas dispozitivit një të aktakuzës, i akuzuari Arifi, me 18 janar 2018 në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Mitrovicë, deri sa ishe duke e drejtuar veturën e tij, duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes nga pakujdesia, e godet këmbësorin – të dëmtuarin Zenel Gashi. I dëmtuari në ato momente kishte qenë duke e kaluar rrugën dhe nga goditja kishte pësuar lëndime të rënda trupore.
Më tutje, i akuzuari Arif pasi e godet të dëmtuarin Zenel nuk ndalon për t’i ofruar ndihmë, mirëpo vazhdon rrugën në drejtim të Skenderajit. Të dëmtuarin një automjet i rastit e dërgon në emergjencën e spitalit rajonal në Mitrovicë.
Monitoruese : Edita Koliqi
Lajmet në fokus