Veçohet procedura ndaj pesë të akuzuarve të parë në rastin “Vizat’’

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Leotrim Himaj

13:35 / 03 Korrik 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur sot, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj të akuzuarve Ukë Rugova e të tjerëve, në rastin viza, është veçuar procedura ndaj pesë të akuzuarve të parë.
Në mesin e pesë të akuzuarve të parë janë: Ukë Rugova, Izet Beqiri, Florian Petani, Qefser Baholli dhe Astrit Haraqija.
Propozimin për veçimin e procedurës e kishte kundërshtuar fillimisht prokurorja e rastit Florije Shamolli, mirëpo, mbrojtësit e të akuzuarve dhe vet të akuzuarit thanë se për shkak të efikasitetit dhe ekonomizimit të procedurës duhet veçuar procedura penale në këtë rast.
Andaj gjyqtarja e rastit Naime Krasniqi Jashanica miratoi propozimet e mbrojtjes për veçim të procedurës penale në këtë rast.
Pas veçimit të procedurës, seanca gjyqësore ka vazhduar me fjalën hyrëse të palëve ku me këtë rast Prokurorja Shamolli tha ndër të tjera se mbi 500 persona janë mashtruar lidhur me dhënien e vizave italiane, raporton ‘’Drejtësia Sot’’.

Poashtu prokurorja shtoi se: “Nga 31 korriku 2012, 556 vizave italiane shengen janë dhënë me anë të krimit të organizuar. Do të paraqiten siç janë provat materiale, provat nga përgjimi i telefonave mobil, nga vëzhgimi, nga bastisja e të pandehurve, me 5 dhe 6 shkurt të vitit 2013 dhe në tetor të vitit 2015. Prova të tjera që janë marrë gjatë bastisjes siç janë kompjuter dhe telefona, ekzaminimet e tyre. Pastaj provat përmes ndihmës juridike ndërkombëtare dhe dëshmitë e 24 dëshmitarëve se do të dëshmojnë se nuk kanë punuar në familjen Rugova”.
Andaj pas analizimit të të gjitha këtyre provave, trupi gjykues do të bindet se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen, tha prokurorja Shamolli.

Me fjalën hyrëse ka vazhduar mbrojtësi i të akuzuarit Ukë Rugova, avokati Nexhat Shabani, duke thënë se mbeten pranë kundërshtimeve të aktakuzës, duke thënë se gjatë procesit do të bindet trupi gjykues, se kjo aktakuzë është e pa qëndrueshme.

Më tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Izet Beqiri, avokati Besnik Berisha, ka thënë se pasi që prokuroria është zënë ngushtë me statistika për mungesë të rezultateve, sipas tij, ka filluar të merret me emra të përveçëm.
Sipas tij, “Për herë të parë e dëgjon fjalën kontrbandim me emigrantë dhe kalim ilegal të kufirit për persona që janë pajisë me vizë të rregullt nga një autoritet pjesë e marrëveshjes shengen”. Ai ndër të tjera ka deklaruar se do të provohet se askush nga ata që ka marrë rekomandim nga familja Rugova, nuk ka bërë kalim të kundërligjshëm të kufirit.
Poashtu avokati Berisha tha se: “Do të mundohemi të sigurojmë edhe praninë e ish-ambasadorit të Italisë për ta pyetur se a i ishte ofruar, premtuar apo a ka pranuar ryshfet për të aprovuar viza të qytetarëve që paraqiten këtu si të kundërligjshme”.

Pasi që është bërë veçimi i procedurës, prokurorja Floria Shamolli ka thënë se duhet me vendos se cilët dëshmitarë do të ftohen për të dëshmuar.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 16 shtator 2016, në ora 09:00.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grup kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Driton Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Monitoruar nga Leutrim Himaj dhe Biondina Zeneli.