Shtyhet seanca ndaj ish zyrtarëve të Bankës për Biznes për lidhje të kontratës së dëmshme.

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga

10:39 / 17 Korrik 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë është shtyrë përsëri seanca ndaj ish zyrtarëve të Bankës për Biznes, Nazmi Mustafa, Skender Blakqori, Islam Zeka, Nail Reshiti, Ismet Brajshori, Pashk Bala, Sherafedin Zhitia dhe Zylfi Arifaj, të akuzuar për disa vepra penale që lidhen me krimin e organizuar.

Shkak i mos mbajtjes së seancës së paraparë për të mërkurën ishte mungesa e të akuzuarit Ismet Brajshori, i cili sipas mbrojtësit të tij, avokatit Artan Qerkini, është në gjendje jo të mirë shëndetësore, pasi që ka pasur një operim dhe nuk është në gjendje të paraqitet në gjykatë.

Sipas një parashtrese të paraqitur gjykatës nga mbrojtja e të akuzuarit Brajshori, në raportin mjekësor thuhet se i akuzuari duhet të qëndrojë i shtrirë andaj, për këto arsye nuk është paraqitur në seancë.

Të pranishëm në shqyrtimin e sotëm nuk ishte as i akuzuari Skender Blakqori për të cilin Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Shpresa Hasaj-Hyseni tha se i njëjti është në karrocë dhe po ka probleme për transportin e tij, e për këtë e kishte lajmëruar avokatin që i njëjti të mos paraqitet fare në shqyrtim.

Ky proces gjyqësor ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, gjatë vitit 2017, pasi aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë ishte atakuar nga pala mbrojtëse.

Në dhjetor të vitit 2015, Nazmi Mustafa, Skender Blakçori dhe Islam Zeka ishin dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me nga tre vjet burg, ndërsa Nail Reshiti dhe Ismet Brajshori me nga dy vjet e gjashtë muaj burg.

Për lidhje të kontratave të dëmshme Pashk Bala ishte dënuar me dy vjet burg, ndërsa për “keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi” Sherafedin Zhitia, ishte dënuar me një vit e gjashtë muaj burg, ndërkaq Zylfi Arifaj ishte dënuar me një vit burgim.

Ky gjykim po zhvillohet sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e cila ishte ngritur në korrik të vitit 2011.

Kjo prokurori ngarkon të akuzuarit se duke punuar në Bankën për Biznes (BpB) kishin dhënë kredi në emër të disa bizneseve, ndërsa këto kredi nuk ishin shfrytëzuar nga biznesmenët në emër të të cilëve ishin dhënë.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit kishin lidhur kontrata për të cilat e dinin se ishin të dëmshme, me ç’rast i ishte shkaktuar dëm bankës, duke i vënë po ashtu në rrezik paratë e depozituesve.

Gjithashtu, sipas pretendimeve të prokurorisë, filiali i kësaj banke në pikën kufitare të Vërmicës, kishte bërë marrëveshje me disa klientë të “BpB”-së që nëse nuk kanë para për t’ua paguar doganën mallrave që sillnin përmes kësaj pike, banka do t’ua paguante zhdoganimin.

Sipas aktakuzës, në këtë rast të pandehurit kanë lejuar që të bëhet kalimi i mallrave nëpër këtë pikë doganore, pa i kryer obligimet doganore.

Monittoruese: Biondina ZENELI