Gjykata Themelore në Mitrovicë e shpalli fajtorë të akuzuarin, Mensur Aliu për veprën penale “posedimi i paautroizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Aktgjykimin e ka shpallur gjyqtari Rrahman Beqiri, i cili shqiptoi dënim me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 4 muajve, si dhe dënim me gjobë në shumë prej 450 euro.
Gjykata po ashtu i shqiptoi dënimin plotësues, konfiskimin e substancës narkotive të llojit marihuanë.
I akuzuari Aliu po ashtu u obligua që në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 20 euro si dhe taksën për kompenzimin e viktimave në shumë prej 30 euro.
Paraprakisht, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur të premtën, i akuzuari Aliu ka pranuar fajësinë për veprën penale “posedimi i paautroizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
E pas marrjes së mendimit nga ana e Prokurorit të Shtetit Stojanka Kasaloviq, gjyqtari Beqiri, ka marr aktvendim me të cilin ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, pasi vlerësoi se pranimi i fajësisë është bërë në mënyrë vullnetare, pa presion dhe pa ndikim dhe se mbështetet në provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës.
Ndryshe, sipas aktakuzës së datës 13.09.2018, Mensur Aliu akuzohet se më 11.04.2018, ka poseduar substancë narkotike të llojit marihuanë, e cila i është gjetur në xhaketën e të pandehurit të cilën e ka bartur i biri i tij.
Me këtë, ai ngarkohet me veprën penale “posedimi i paautroizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Monitoruese : Edita Koliqi
Lajmet në fokus