Gjykata Themelore në Pejë, ka shpallur fajtor Real Kastrati, Elez Kastrati, Edmond Gashi dhe Mergim Veselaj për veprën penale “Falsifikim të parave”.
Në aktgjykimin e shpallur sot, gjykatë ka dënuar me burgim Real Kastratin me kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muaj në të cilin do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, ky dënim me pëlqimin e të dënuarit mund t’i zëvendësohet më dënim më gjobë. I njëjti obligohet që gjykatës ti paguaj shpenzimet e procedurës në shumën prej 50 (pesëdhjetë) euro, ndërsa në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 50 (pesëdhjetë) euro dhe shumën prej 50 (pesëdhjetë) euro në emër të kompenzimit të viktimave.
Përderisa Elez Kastrati, Edmond Gashi dhe Mergim Veselaj dënohen me nga 6 muaj burgim me kusht secili, ky dënim nuk do të ekzekutohet nese të njëjtit nuk kryejnë vepër penale në afatin kohor prej 1 viti. Ndersa secili, obligohet që në emër të shpenzimeve të procedurës penale të paguaj shumën prej 50 (pesëdhjetë) euro, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 50 (pesëdhjetë) euro dhe shumën prej 50 (pesëdhjetë) euro në emër të kompenzimit të viktimave. Pas plotëfuqishmërisë së aktgjykimit mjetet e sekuestruara do të asgjësohen. Pas marrjes së aktgjykimit palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, në afat prej 15 ditësh.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Drejtësia Sot”, i pandehuri Real Kastrati, akuzohet se në një lokal të quajtur “Fotoshop”, ka prodhuar para të falsifikuara dhe atë në apoenë prej 1×20 euro, me qëllim që ta njëjtën ta vëj në qarkullim si të vërtetë dhe atë përmes të pandehurit Elez Kastrati, të cilën monedhë policia e ka gjetur dhe sekuestruar në lokalin e të pandehurit e cila pas ekzaminimit ka rezultuar totalisht e falsifikuar. Të pandehurit Elez Kastrati, Edmond Gashi dhe Mergim Veselaj akuzohen se kanë qenë në dijeni se i pandehuri Real Kastrati, ka prodhur para të falsifikuara dhe të njëjtin nuk e kanë raportuar në polici.
Monitoruese: Blerta Kelmendi
Lajmet në fokus