FERIZAJ – Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm, është mbajtur seanca ndaj të akuzuarit Gani Leskovci, për shkak të veprës penale lëndim i lehtë trupor.
Pas leximit të aktakuzës nga Prokurorja e Shtetit Albana Parduzi, i akuzuari deklaroi se nuk e ndjen veten fajtor për veprën për të cilën akuzohet.
Prokurorja e Shtetit në fjalën hyrëse deklaroi se pas administrimit të provave të cilat gjenden në shkresat e lëndës si dhe dëgjimit të dëshmitarit Ismet Kamnica do të vërtetohet se i akuzuari ka kryer këtë vepër penale.
Mbrojtësja e të akuzuarit avokatja Arlinda Haziri, i ofroi gjykatës prova materiale, CD me video inçizim nga vendi i ngjarjes, CD me video inçizim nga deklarata e të dëmtuarit të bërë në media dhe kërkoi nga gjykata që këto prova të administrohet me qëllim që të zbardhet e vërteta.
Shtoi se nga pamjet në video inçizime, shihet se klienti i saj ka vepruar në vetëmbrojtje gjë që është bazë për përjashtimin e përgjegjësisë penale.
Në lidhje me provat e ofruara nga mbrojtësja e të akuzuarit, Prokurorja e shteti deklaroi se i akuzuari ka mundur të paraqet kërkesë gjatë fazës së hetimeve që të paraqes këto prova e jo të pres deri në shqyrtim gjyqësor që të paraqes këto prova.
Mbrojtja deklaroi se provat materiale janë siguruar me vonesë dhe se dëshmitari Astrit Mehmeti është paraqitur me vonesë prandaj janë vonuar lidhur me propozimin e dëshmitarëve. E njëjta propozoi që si dëshmitarë të ftohet Astrit Mehmeti dhe personi që i ka ofruar CD-të me video inqizimet.
Lidhur me provat e dëshmitarët e propozuar Gjykata do të vendos seancën e rradhës lidhur me këto si dhe i mbetet të akuzuarit që të sigurojë adresat e dëshmitarëve të propozuar.
Gjykata mori vendim që seanca të shtyhet për datën 19 shtator 2019.
Prokuroria Themelore kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit, për shkak se në vitin 2017 në Ferizaj, derisa i dëmtuari ishte duke lëvizur me veturë, ishte goditur në pjesën e mbrapme nga i akuzuari dhe i njëjti më pas kishte dal nga vetura për ta sulmuar fizikisht të dëmtuarin, duke e goditur me grushte, duke i shkaktuar dëmtime me pasoja të përkohshme për shëndetin, e me këto veprime ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor.
Monitorues: Mentor Buzhala
Lajmet në fokus