Prokuroria Themelore e Gjilanit ka kërkuar nga Gjykata e Apelit dënimin e Prince Valentino Corleone, i akuzuar për dy vepra penale që lidhen me rastin e vendosjes së granatës në diskotekën “Stop” në vitin 2013.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjilan, të siguruar nga “Drejtësia Sot”, me 30 prill 2019, gjykata, në mungesë të provave e kishte lirurar Corleonen nga akuzat për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.
Në Gjykatën e Apelit, të enjten, ishte planifikuar të mbahej seanca lidhur me ankesën e Prokurorisë, por në mungesë të palëve dështoi të mbahej kjo seancë.
Sipas ankesës së siguruar nga “Drejtësia Sot”, prokuroria pretendon se me rastin e marrjes së vendimit nga gjykata e shkallës së parë ishin bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkelje të ligjit penal dhe vërtetim i gabuar i gjendjes faktike.
Në ankesë të prokurorisë, thuhej se nuk është kontestuese se në diskotekën “Stop” është vendosur granata e dorës, madje sipas organit të akuzës, i akuzuari tjetër në këtë rast, Gent Qamili, ishte shpallur fajtor pasi që i njëjti gjatë shqyrtimit gjyqësor kishte pranuar fajësinë për veprën penale e cila i vihej në barrë.
Andaj, prokuroria me pretendimin se gabimisht është vërtetuar gjendja faktike, kërkon nga Gjykata e Apelit ta ndryshojë aktgjykimin e shkallës së parë, ashtu që të akuzuarin Corleone ta shpallë fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit.
Poashtu prokuroria pretendon se më 28 korrik 2013, në diskotekën “Stop”, e cila gjendet në Magjistralen Gjilan – Kamenicë, të akuzuarit me dashje kishin tentuar të shkaktojnë rrezik të madh për jetën e njerëzve të tjerë, ashtu që i akuzuari Corleone pas marrëveshjes paraprake me të akuzuarin Qamili, ia jep qantën në të cilën gjendej një granatë dore.
Sipas aktakuzës, së siguruar nga “Drejtësia Sot”, Corleone i jep instruksione se si ta vendos në lokalin e diskotekës “Stop”, duke i premtuar se do ti jap shpërblim shumën e të hollave prej 300 euro dhe mbushje telefonike prej 20 euro.
Në aktakuzë ndër të tjera thuhet se i akuzuari Qamili merr mjetin eksplodues dhe e vendos në tualetin e lokalit, ku kanë qenë një numër i madh i njerëzve, dhe më pas me numrin e telefonit e thërret policinë dhe i lajmëron se në diskotekën “Stop” ka bombë.
Andaj me veprimet e lartëcekura, Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë më 2 qershor 2014, ndaj Prince Valentino Corleone dhe Gent Qamilit, për veprat penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “mbajtja në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Monitoruar nga Leutrim HIMAJ
Lajmet në fokus