Në mungesë të Prokurorit Agron Uka, në Gjykatën Themelore në Gjilan ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve Gazmend Hajdini, Gëzim Zymberi dhe Enes Kuç, raporton Drejtësia Sot.
Këta të akuzuar po gjykohen për shkak të veprave penale vrasje në tentativë, ndihmë në kryerjen e vrasjes në tentativë, armëmbajtje pa leje, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, dhe veprës penale lëndim i lehtë trupor.
Kryetari i trupit gjykues gjyqtari Agim Ademi njoftoi palët se nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e seancës së sotme dhe e njejta duhet të shtyhet, sepse mungoi prokurori i cili paraprakisht me shkresë kishte njoftuar gjykatën që gjendet në pushim vjetorë. Poashtu në këtë seancë mungoi edhe i akuzuari Gëzim Zymberi.
Meqenëse nuk pati kushte ligjore për mbajtjen e seancës së sotme, e njejta u vendos të shtyhet për datën 4 shtator, në ora 9:00.
Ndryshe, prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj Gazmend Hajdini i cili dyshohet se me dashje ka tentuar t’a privojë nga jeta të dëmtuarin Enes Kuç duke shkrepur 4 herë me revole në drejtim të tij. Nga këto veprime i akuzuari kishte arritur ta godet xhamin e veturës së të dëmtuarit.
Ndërsa, i akuzuari tjetër Gëzim Zymberi sipas aktakuzës, dyshohet se i’a ka dhënë revolen e tij (të cilën e kishte pa leje) të akuzuarit Gazmend, me ç’rast e kishte ndihmuar të njejtin për kryerjen e veprës penale vrasje në tentativë.
I akuzuari Enes Kuç, dyshohet se me sëpatë kuzhine dhe me një thikë, në prani të një grumbulli të madh të njerëzve, ka gjuajtur në një distancë prej 7-8 m në drejtim të të akuzuarit Gazmend. Me këto veprime i njejti ka bërë shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Enes dyshohet edhe për lëndim të lehtë trupor ndaj të akuzuarit Gazmend.
E tërë kjo ngjarje kritike mes të akuzuarve kishte ndodhur me 27 janar 2019, në parkingun e restorant “Astoria” në Gjilan, raporton Drejtësia Sot.
Monitoruese: Ronita HALIMI
Lajmet në fokus