FERIZAJ – Gjykata Themelore në Ferizaj, të hënën me datë 15 Korrik 2019, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj dy të akuzuarëve Blerim Sinani dhe Jeton Mehmeti, për veprën penale vjedhje e rëndë.
Gjyqtarja gjykuese Hysnije Gashi, deklaroi se gjykata pas analizimit të provave materiale, nuk ka arritur të vërtetoi se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.
Në këtë shqyrtim gjyqësor, mbrojtjen e kanë dhënë të akuzuarit Blerim Sinani dhe Jeton Mehmeti përmes mbrojtësit të tij avokat Avni Ibrahimi.
I akuzuari Blerim Sinani në mbrojtjen e tij, tha se nuk e ndjen veten fajtor për veprën për të cilën ngarkohet ndërsa shtoi se të akuzuarin Jeton e njeh që një kohë të gjatë, kanë qenë të akuzuar bashkë për disa vepra mirëpo nuk kanë të bëjnë asgjë me veprën për të cilën ngarkohen.
Ndërsa i akuzuari Jeton Mehmeti deklaroi se nuk e ka kryer këtë vepër penale, vetëm e di se nga i akuzuari Blerim kishte blerë televizorë, kompjuterë e gjëra tjera, të cilat ia kanë konfiskuar Policia, si mallra të vjedhura dhe të njëjtat i janë kthyer pronarëve.
Prokurori i Shtetit Albert Zejnullahu, në seancë paraqiti një aktgjykim që është marrë ndaj të akuzuarit Blerim Sinani për vjedhje të rëndë me të cilin ishte dënuar me 16 muaj burgim ndërsa i akuzuari Jeton Mehmeti me të njëjtin aktgjykim ishte liruar.
Në fjalët përfundimtare të palëve, Prokurori i Shtetit deklaroi se mbetet në tërësi pranë aktakuzës dhe kualifikimit juridik të saj si dhe pas administrimit të provave do të vërtetohet fajësia e të akuzuarëve.
Shtoi se deklaratat e tyre në shqyrtim gjyqësor kanë qenë kontradiktore, me qëllim që të i largohen përgjegjësisë penale si dhe ka kërkuar nga gjykata që të njëjtit të i shpallë fajtor dhe të i dënoj konform ligjit duke i pasur parasysh të gjitha rrethanat.
I akuzuari Blerim Sinani, në fjalën e tij përfundimtare kërkoi nga Gjykata që të hudhë poshtë këtë aktakuzë për shkak se nuk është vërtetuar me asnjë provë se unë e kam kryer këtë vepër penale.
Mbrojtësi i të akuzuarit Jeton Mehmeti, deklaroi se me provat të cilat janë administruar, nuk rezulton asnjë indicie se Jeton Mehmeti në kohën siç është paraqitur në aktakuzën e prokurorisë ka qenë i përfshirë në kryerjen e marrjes së gjësendeve të cilat janë objekt i akuzës.
Ai i propozoi gjykatës që të akuzuarin ta liron nga akuza sepse nuk ka asnjë provë që vërteton veprën penale vjedhje, në rastin konkret kemi të bëjmë pranimin e mallrave të siguruara me vepër penale, e që parashkrimi absolut i kësaj vepre ka ndodhur në Janar të vitit 2015.
Prokuroria Themelore në Ferizaj kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurëve për shkak se në vitin 2011, në Ferizaj, pikërisht në lokalin për servisimin e kompjuterëve, me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme, kanë hapur me forcë derën e hyrjes dhe kanë marrë kompjuterë, kamera për kompjuterë, DVD dhe gjësende tjera, me këto veprime kanë kryer veprën penale vjedhje e rëndë.
Monitorues: Mentor Buzhala
Lajmet në fokus