Në Gjykatën Themelore të Gjilanit, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarëve Sinan Hasani, Ilir Hasani si dhe Sami Salihut nga Vitia, të cilët po gjykohen për shkak të kryerjes së veprës penale lëndim i rëndë trupor.
Në seancën e udhëhequr nga gjyqtarët Aziz Shaqiri, Islam Thaqi e Venhar Salihu, u procedua me marrjen në pyetje të ekspertit mjekoligjor Sejdullah Mahmuti.
Eksperti Sejdullah Mahmuti, kryesisht elaboroi ekspertizën e tij lidhur me pasojat e lëndimeve trupore që kishte pësuar i pandehuri Sinan Hasani pas përleshjes që kishte ndodhur për një kontest pronësor, me të pandehurin tjetër Sami Salihu, në ditën e 21 shtatorit të vitit 2018 në fshatin Sadovinë të Vitisë.
Mirëpo, një situate e pazakontë ndodhi pak minuta para se të shpallet përfundimi i seancës. I pandehuri Sami Salihu, u ankua te trupi gjykues se avokati tij Nasuf Nasufi, i caktuar sipas detyrës zyrtare nga Gjykata në Gjilan, nuk po bashkëpunon me të.
Ai tregoi se si ia kishte kërkuar numrin e telefonit këtij avokati, si dhe i kishte ofruar edhe disa prova materiale për t’i paraqitur në gjykatë, por sipas tij, këto nuk ka mundur t’i dorëzoj sepse avokati në fjalë ka refuzu t’i merrë për bazë këto gjëra.
Me t’i dëgjuar këto ankesa të të akuzuarit Sami Salihu, krytari i trupit gjykues gjyqtari Aziz Shaqiri, i shënoi në procesverbal këto fjalë, por nuk mori masa të tjera ndaj këtij avokati.
Për më tepër gjyqtari Shaqiri, vetëm e njoftoi avokatin Nasuf Nasufi që ka për detyrë që të përfaqësoi në mënyrë të duhur palën e tij.
Në fund, theksojmë se për të dhënë dëshmi në këtë seancë ishte i ftuar edhe eksperti Musa Gashi, por për shkak të mungesës së tij, gjykimi u ndërpre dhe u vendos të mbahet për datën 24.07.2019.
Sipas akuzës së prokurorisë në Gjilan, Sinan e Ilir Hasani, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor sepse më datë 21 shtator 2018 në fshatin Sadovinë, Komuna e Vitisë për shkak të një mosmarrëveshje lidhur me një pronë, i kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore Sami Salihut.
Akuza sqaron se pas një zënke me fjalë kanë filluar pastaj të përleshen me të dhe ta godasin atë në dorë të majtë dhe në kokë, njëri me lopatë dhe tjetri me tërfurkë të metaltë gjërsa e rrëzojnë tokë, dhe pasi e rrëzojnë e kanë goditur përsëri deri sa ia kanë humbur vetëdijen duke i shkaktuar lëndime të rënda në pjesë të trupit.
Aktakuza më tutje shpjegon se edhe i pandehuri Sami Salihu, akuzohet për lëndim të rëndë trupor sepse nga kjo përleshje me të pandehurin Sinan Hasani, e ka goditur atë me tërfurkë në dorën e majtë dhe me këtë i ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor, në dorën e djathtë të tij.
Drejtësia Sot, ka monitoruar edhe mëherët këtë rast: http://www.rolpik.org/gjykimi-per-lendim-te-rende-trupor/
Monitorues, Vullnet Bugaqku
Lajmet në fokus