Seanca gjyqësore për korrupsion e paraparë të mbahet sot, është shtyer për shkak të mungesës së Prokurorit të rastit Rafet Halimi.
Kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kukaj – Mekaj, në mungesë të kushteve për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor morri aktvendim me të cilën ka shtyer seancën.
Në këtë seancë është paraparë të bëhet administrimi i provave materiale në lidhje me çështjen penale ndaj të akuzuarve: Alban Krasniqi, Besnik Polloshka, Isak Luta, Habib Luta dhe Liridon Borovci.
Sipas aktakuzës, së siguruar nga burimet e Drejtësia Sot, zyrtarët doganorë Alban Krasniqi dhe Besnik Polloshka, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “marrja e ryshfetit”, ndërsa i akuzuari tjetër Liridon Borovci, për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Siç pretendon prokuroria, më 9 nëntor 2015, të akuzuarit Alban Krasniqi dhe Besnik Polloshka, të dy në cilësinë e zyrtarëve doganorë, për ekzaminimin e mallit në Drejtorinë Rajonale të Doganës në Kosovë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe për qëllim të përfitimit të dobi pasurore, ku me rastin e zhdoganimit të mallit, kishin kërkuar nga Isak Luta dhe Habib Luta, si vozitës i kamionit, shumën prej 450 euro.
Seancat e radhës do të mbahen me datë: 02.03 dhe 04 shtator 2019 nga ora 09:00.
Monitoruar nga Leutrim HIMAJ
Lajmet në fokus