Mungon i akuzuari për narkotikë, i njëjti në Paraburgim për një vepër tjetër

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga

10:35 / 18 Korrik 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është shtyrë seanca gjyqësore ndaj të pandehurit Lum Halimaj i cili po akuzohet nga Prokuroria se pa autorizim dhe me qëllim të shitjes ka poseduar narkotikë.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Berat Tmava tha se i mbrojturi i tij gjendet në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan për një vepër tjetër penale e për këtë nuk ka pasur mundësi që ta lajmëroj gjykatën, sepse, i akuzuari është dërguar në paraburgim para dy ditësh.

Në shqyrtim nuk kishte ardhur as dëshmitari i propozuar nga prokurori i shtetit, njëherit edhe zyrtar policor, Valon Bajqinca, i cili sipas prokurorit ka qenë në punë sekondare gjatë natës dhe ka harruar që ka seancë gjyqësore.

Duke mos ekzistuar kushtet e nevojshme për mbajtjen e seancës, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Suzana Çerkini vendosi që seanca e sotme të shtyhet për datën 5 gusht.

I pandehuri akuzohet nga Prokuroria se pa autorizim me qëllim të shitjes apo shpërndarjes ka poseduar substanca bimore e shpallur me ligj si narkotikë, ku gjatë përcjelljes nga policia ishte duke u dhënë diçka disa personave të tjerë, të cilën e ka marrë nga një qese të plastikës aty pranë tij.

Sipas aktakuzës i akuzuari më pas është ndalur nga policia dhe pranë tij është gjetur një qese e madhe e plastikës në të cilën kishte pasur 20 qese tjera të vogla, të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë.

Biondina ZENELI