Në Departamentin për Krime të Rënda sot ishte planifikuar vazhdimi i shqyrtimit gjyqësor ndaj të pandehurve Skënder Gjeli, Halit Topalli, Alfred Topalli, Flamur Topalli, Lirim Topalli, Fadil Topalli dhe Mehdi Topalli.
Mirëpo, në këtë seancë u paraqit vetëm gjyqtari Beqir Kalludra, që njëkohësisht është edhe kryetar i trupit gjykues, i cili theksoi se nuk ka kushte për mbajtjen e kësaj seance, për shkak se anëtarët e këtij trupi gjykues, Shashivar Hoti dhe Lutfi Shala, janë në pushim vjetor.
Sipas aktakuzës së siguruar nga Drejtësia Sot, i pandehuri Skënder Gjeli akuzohet për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, posedim, kontroll apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve”.
Gjithashtu, Halit e Alfred Topalli akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, ndërsa të pandehurve Flamur, Lirim, Fadil dhe Mehdi Topalli, në bashkëkryerje u vihet në barrë vepra penale “Pjesëmarrje në rrahje”.
Kjo aktakuzë përshkruan ngjarjen e datës 17.02.2018, në qytetin e Drenasit, në të cilën i pandehuri Gjeli, me dashje dhe nga hakmarrja, ka tentuar t’i privojë nga jeta Arbenit Topalli, Mendrit Topalli, Fadil Topalli dhe Lirim Topalli.
Po ashtu, në të njejtën situatë, është rrezikuar jeta e Shaip Topallit dhe kalimtarëve të tjerë të ҫastit. Kësaj ngjarjeje i kishte paraprirë një konflikt që kishte ndodhur mes vëllait të të pandehurit Skënder Gjeli dhe një anëtari të familjes Topalli.
I pandehuri Gjeli, në qendër të qytetit, kishte gjuajtur disa herë me revole, me ҫ’rast kishte lënë të plagosur Arbenit, Lirim dhe Mendrit Topalli. Më pas, të pandehurit Halit, Alfred, Lirim, Flamur dhe Fadil Topalli e sulmuan fizikisht të pandehurin Skënder Gjeli, i cili, në këtë gjendje, prapë gjuajti me armë me të cilën morën lëndime të tjera të dëmtuarit e lartëcekur.
Seanca e radhës do të mbahet më datë 16.09.2019.
Monitorues Liridon SALIHI
Lajmet në fokus