Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative u mbajt seanca e shqyrtimit kryesor në konfliktin administrativ të filluar me padi të Sharrcem ndaj të paditurit Dogana e Kosovës.
Padia për konflikt administrativ zhvillohet lidhur me anulimin e aktit administrativ- Vendimit të datës 01.06.2015 të Doganës së Kosovës.
Sipas këtij Vendimi, Komisioni për Kundërvajtje Doganore e ka shpallur përgjegjës subjektin “Sharrcem” sh.p.k, për shkak të mos deklarimit të saktë të kodit tarifor në deklarimin e mallit me anë të Deklaratave Unike Doganore. Poashtu, të njejtit i është shqiptuar gjoba administrative në shumë prej 10,000.00 €.
Sipas padisë, Sharrcem sh.p.k ka kërkuar nga gjykata që të detyrohet Dogana e Kosovës që t’i kompensojë SharrCem sh.p.k dëmin material në shumë prej 444,701.32 dhe dëmin jo-material në shumë prej 100,000 € të pësuar për shkak të aktvendimit të datës 01.06.2015 të Doganës së Kosovës.
Përfaqësuesi i autorizuar i palës paditëse avokati Dastid Pallaska në seancën e mbajtur sot i ka dorëzuar gjykatës përkthimin në gjuhën shqipe të raportit të analizës së datës 19.07.2012 të laboratorit “ZAG” nga Ljublana.
Ai ka vazhduar se ky raport në asnjë vend dhe në asnjë pikë nuk përmban konstatimin se mostra e ekzaminuar është çimento , përkundrazi në të gjitha pjesët e këtij raporti në të cilat laboratori ZAG i referohet mostrës së ekzaminuar kjo mostër referohet me emrin klinker.
Ai poashtu ka parashtruar disa pyetje ndaj ekspertit financiar zt. Ramadan Ferizi lidhur me plotësimin e ekspertizës financiare.
Dhe pas kësaj ai ka thënë se duke qenë se sot e kemi pranuar plotësimin e ekspertizës i propozoj gjykatës që brenda periudhës prej 14 ditësh të deklarohem me shkrim për përmbajtjen e këtij plotësimi dhe pas pranimit të kundërshtimit të caktoj seancën e radhës ku ndër tjerash mund të ftohet edhe eksperti për të dhënë sqarime plotësuese.
Me këtë rast gjyqtari i çështjes Rexhep Gashi ka aprovuar propozimin e palës paditëse.
Seanca e radhës është caktuar për datë 19.06.2019 në ora 09:00.
Monitoruese: Zanë Buçinca
Lajmet në fokus