Në seancën e së martës, është dhënë fjala përfundimtare për vrasjen e rëndë në Podujevë, në vitin 2016. Të akuzuar për këtë rast janë Sadat dhe Fejard Llugaliu. Dyshohen se për hakmarrje kanë vrarë tani të ndjerin Fahri Bunjaku.
Prokurorja e rastit, Besa Limani, i del në mbrojtje në tërësi aktakuzës. Përmend rrethanat në të cilat është kryer krimi dhe mosmarrëveshjet paraprake që i kishin pasur familjet mes vete.
Prokurorja bazohet në deklaratat dëshmitarëve të rastit të cilët kanë rrëfyer se si Sadat, Fejard dhe Esat Llugaliu por edhe me një grup të tjerësh i’u kishin dalë përpara të dëmtuarve Fahri Bunjaku (i ndjeri) dhe Araft Fetës, të cilët kishin qenë së bashku. Me të mbërrirë në vendin e ngjarjes, të akuzuarit kishin filluar të shtënat me armë zjarri në drejtim të tyre.
E tërë kjo, sipas prokurores, ka ardhur si rezultat i mosmarrëveshjes mes familjeve Llugaliu e Bunjaku.
Familja Bunjaku dhe ajo Llugaliu kanë pasur biznes të përbashkët por kur punët kishin filluar të acarohen, familja Bunjaku kishin rrahur një anëtar të familjes Llugaliu. Edhe përkundër tendencave që të pajtohen, nuk kishin pasur rezultat.
Nga dëshmia e dëshmitarit, i dërguar nga familja Bunjaku te familja Llugaliu, për t’u pajtuar, babai i të akuzuarve kishte thënë se kjo punë ka përfunduar. Kurse kur e kanë pyetur për tentativën për vrasje të Mensur Bunjakut, babai i të akuzuarve kishte thënë se ka pasur kalimtarë rasti dhe ka shpëtuar përndryshe do të ishte i vdekur. Gjithsesi ka paralajmëruar se nuk do t’a lë me aq dhe se do të hakmerret.
Prokuroria është e bindur se kjo çështje penale është ndriçuar në tërësi. Se të akuzuarit janë kryerës të veprës penale për të cilën akuzohen dhe se kjo është bërë me qëllim të hakmarrjes ndaj të dëmtuarit dhe të familjes së tij.
Prokuroria kërkon që të merren parasysh motivet e ulëta të hakmarrjes, vendosmërisë së të akuzarve që të kryejnë krimin, faktit që kemi disa të dëmtuar, moshën e re të të dëmtuarit dhe faktit që ka lënë pas vetes dy fëmijë dhe gruan. Rrethana lehtësuese prokuroria nuk ka gjetur.
Edhe avokati Tomë Gashi, përfaqësues i familjes Bunjaku, e përkrah në tërësi fjalën e prokurores duke thënë se prokuroria ka vërtetuar se të akuzuarit së bashku me Esat Llugaliun kanë vepruar dhe i kanë shkaktuar pasojat me dashje për shkak të një ngjarje të ndodhur një javë më herët edhe pse i ndjeri Fahri, nuk kishte qenë pjesë e asaj përleshje.
Kërkon dënim me burgim të përjetshëm. Edhe për të, thotë se është dhuratë për të akuzuarit për shkak se edhe gjatë vuajtjes së dënimit, ata do të jetojnë ndërsa Fahri Bunjaku jo.
Kurse mbrojtja e të akuzuarve i del kundër aktakuzës për të akuzuarit. Thonë se nuk ka prova në të cilat do të mbështetej dispozitivi i aktakuzës dhe të gjitha janë në kundërshtim me të.
Avokati Skënder Musa, mbrojtës i autorizuar i Fejard Llugaliut, shton se i mbrojturi i tij ditën kritike nuk ka qenë në vendin e ngjarjes. Ai ka qenë në shtallë duke punuar me bagëti. Referohet në deklaratat e dëshmitarëve për të cilët thotë se asnjë nga ta nuk e ka përmendur të akuzuarin Fejard Llugaliu. Këtë madje e ka thënë edhe i dëmtuari, i vetmi dëshmitar okular, Arafat Feta, kur është pyetur nga i akuzuari Fejard, për të cilin ka thënë se nuk e ka parë.
Për pretendimet e tij i referohet ekspertizës së ADN-së e cila tregon se nuk ka gjetje biologjike të Fejard Llugaliut në vendin e ngjarjes.
Sipas aktakuzës, më 5 shkurt 2016, në rrugën e “Xhamisë”, në Podujevë, në bazë të marrëveshjes paraprake me të pandehurit e tjerë, nga hakmarrja për shkak të një konflikti që kanë pasur më herët të dy familjet, e me qëllim që t’a privojnë nga jeta, kanë shtënë në drejtim të të ndjerit Fahri Bunjaku, duke rrezikuar jetën edhe të dëmtuarin tjetër Arafat Feta.
I dëmtuari Arafat Feta arrinë të ikë nga vendi i ngjarjes kurse Fahri Bunjaku edhe përkundër tendencave për të ikur, të shtënat nuk ndalen në drejtim të tij. Ai nxjerrë armën dhe vazhdon të gjuaj në drejtim të të pandehurve.
Nga lëndimet e marra, pas disa ditësh, Fahri Bunjaku ka ndërruar jetë.
I akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Esat Llugaliu, për të cilin është veçuar procedura për shkak se gjatë sulmit ka pësuar lëndime të rënda me pasoja të përhershme.
Monitoruese: Ermirë JANUZI
Lajmet në fokus