Ish-asambleisti i Komunës së Drenasit deklarohet përsëri i pafajshëm për Konflikt të interesit

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Rinon Arifi

13:45 / 12 Korrik 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj ish-asambleistit të komunës së Drenasit, Ajet Demiri.

Demiri po akuzohet se duke qenë pronar i biznesit privat N.N.P “Pro-Ing”, gjatë vitit 2013-2015, në Komunën e Drenasit, ka fituar disa tender dhe ka lidhur shtatë kontrata, dhe me këtë rast ka kryer veprën penale “Konflikt i interesit”.

Ne seancën e sotme, ka dhënë dëshminë Florije Ismajli, e cila në periudhën kur dyshohet se është kryer vepra penale, ka qenë e autorizuar nga i akuzuari për ndërmarrjen e disa veprimeve në emër të biznesit të tij.

Ajo theksoi se gjatë kohës sa ka pasur autorizimin për lidhjen e kontratave, kjo kompani ka nënshkruar kontratë për kryerjen e punëve me komunën e Drenasit, në po të njejten periudhë kur pandehuri ka qenë i angazhuar si asambleist.

Pas kësaj, seanca vazhdoi me mbrojtjen e të akuzuarit, i cili përsëri si herave të kaluara deklaroi se kjo vepër penale ka kohe që është parashkruar, dhe kërkoi nga gjykata që ta liroj nga akuza.

Në vazhdim të mbrojtjes së tij, ai tha se para nënshkrimit të këtyre kontratave ka marrë mendim nga Agjencioni kundër Korrupsionit, lidhur me atë se a ekziston konflikt interesi për punët e kryera në komunën e Drenasit, mendim ky që gjindet në shkresat e lëndës.

Lidhur me këtë, anëtari i trupit gjykues Hamdi Ibrahimi, theksoi se mendimi të cilin i akuzuari i’a paraqiti si provë gjykatës, ka të bëjë me punët që janë kryer në Komunën e Prishtinës, përkatësisht në Ujësjellësin Rajonal, dhe se nuk ka asnjë lidhje me atë se për qka akuzohet ai.

Pas përfundimit të mbrojtjes të të akuzuarit, seanca ishte paraparë që të vazhdoi me dhënien e fjalëve përfundimtare të palëve. Por, meqënese i pandehuri deklaroi se sot nuk është i gatshëm që të jap fjalën përfundimtare, kjo seancë u ndërpre, dhe seanca e rradhës u caktua për datën 29 gusht.

Sipas aktakuzës, Ajet Demiri, në cilësinë e këshilltarit në Kuvendin Komunal në Drenas, ka rënë ndesh me ligjin pasi që për interesa private të drejtpërdrejta, personale pasurore, ka shfrytëzuar funksionin publik për të përfituar për vete. Kjo pasi siç pretendon prokuroria, i akuzuari duke qenë si pronar i biznesit privat N.N.P “Pro-Ing”, gjatë vitit 2013-2015, në Komunën e Drenasit, firma e tij “Pro-Ing”, ka fituar disa tender dhe ka lidhur shtatë kontrata.

Më tutje aktakuza sqaron se ai ka autorizuar Florije Ismajli-n që për firmën e tij, NNP “Pro-ing”, të nënshkruaj këto kontrata, kurse në njoftimin për dhënien e kontratës nga Autoriteti Kontraktues i Komunës së Drenasit, është shkruar emri i të pandehurit si person kontaktues për aktivitetet e prokurimit.

Moniturar nga Rinon Arifi dhe Zanë Buçinca