I akuzuari pranon fajësinë për shitjen e narkotikëve

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga

15:25 / 24 Korrik 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda u mbajt seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të akuzuarit B.K për veprën penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Sipas aktakuzës së datës 11.07.2019 të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i pandehuri B.K me datë 08.05.2019 rreth orës 11:18 pa autorizim ka poseduar substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotike, substanca psikotrope dhe analoge, me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, kështu që në oborrin e shkollës fillore “Selmon Riza” i pandehuri ka tentuar shitjen ndaj zyrtarëve policor Bujar Nebihut dhe Valon Prebreza duke ju thanë: “A keni nevojë për bari”, pjestarët e policisë e kanë pyet: “A ke me shitë”, i pandehuri pohon se Po.

Në vazhdim të aktakuzës, thuhet se më pas i pandehuri futet në oborrin e shkollës, ua tregon substancën narkotike të cilën e ka pasur në dorë, në atë moment pjestarët e policisë janë prezantuar me ID si zyrtar policor, e arrestojnë të pandehurin dhe gjatë kontrollit i kanë gjetur dy qese të mbushura me substanca narkotike të llojit marihuan në peshë prej 1.96 gram.

I pandehuri në seancën e shqyrtimit fillestar ka pranuar fajësinë dhe ka thënë se e ndjen veten fajtor për kryerjen e kësaj vepre penale por këtë vepër penale e ka kryer për shkak të kushteve të dobëta ekonomike dhe me qëllim të sigurimit të mjeteve për jetesë.

Ai ka thënë poashtu se është penduar shumë për veprën penale të kryer dhe se në të ardhmen nuk do të përsërisë vepra të tilla.

Përfaqësuesi i autorizuar i palës paditëse, avokati Labinot Vata ka thënë se i mbrojturi im veprën penale e ka kryer për shkak të kushteve të vështira ekonomike që të siguroj kafshatën e gojës për veten e vet, se ky është i riatdhesuar nga Gjermania , nuk e ka askënd të afërm në Kosovë, nuk ka strehë se ku të strehohet, jeton në një shtëpi total të braktisur nga njerëzit e cila nuk posedon as dyer e dritare, dhe është hera e parë që ka ra ndesh me ligjin.

Vata i ka propozuar gjykatës që ti merr parasysh të gjitha këto rrethana lehtësuese me rastin e marrrjes së vendimit dhe se qëllim i dënimit për të mbrojturin tim do të ishte një trajtim i detyrueshëm rehabilitues pasi që i njëjti ka konsumuar mjete narkotike dhe se të njëjtin veprim ka mundur që ta kryej duke qenë nën ndikimin e tyre.

Poashtu Vata i ka propozuar gjykatës që masën e arrestit shtëpiak ta zëvendësoj me masën për paraqitje në stacionin policor, pasi që ai në përpikmëri e ka zbatuar masën e arrestit shtëpiak përveq kësaj i njëjti ka nevojë që të ushqehet dhe nuk ka kush të kujdeset për të pasiqë nuk ka asnjë të afërm ai duhet të kujdeset vetë për veten e vet dhe me një masë të tillë e ka të pamundur.

Më pranimin e fajësinë është pajtuar edhe prokurorja e rastit Bukurije Gjonbalaj, e cila shtoi se pranimi i fajësisë është bërë në mënyrë vullnetare dhe ka mbështetje në provat e bashkangjitura në aktakuzë.

Gjyqtari i çështjes Vesel Ismaili, në seancën e sotme ka aprovuar pranimin e fajësisë.

Ndërsa seanca e shpalljes së aktgjykimit dhe vendimi lidhur me propozimin për zëvendësimin e masës do të mbahet me datë 29.07.2019 në ora 10:00.

Monitoruese: Zanë BUÇINCA