Bujar Emërllahu nga Vitia, po gjykohet në Gjykatën Themelore të Gjilanit për veprën penale vrasje dhe armëmbajtje pa leje.
Në seancën e sotme gjyqësore, kryetari i trupit gjykues gjyqtari Aziz Shaqiri, njoftoi të pranishmit se për sot është caktuar të dilet në vendin e ngjarjes ku pretendohet se ka ndodhur krimi, raporton Drejtësia Sot.
“Të dhënat e gjetura nga vendi i ngjarjes do të elaborohen dhe trajtohen në gjykimin që do të vazhdohet nesër”, njoftoi gjyqtari Aziz Shaqiri.
Përndryshe, aktakuza e Prokurorisë në Gjilan, po e ngarkon Bujar Emërllahun se ka kryer veprën penale të vrasjes sepse më datë 08.09.2017, në pjesën malore të fshatit Buzovik të Vitisë, pas një përleshje me personin Ardit Qamili e ka nxjerrë armën “ Vizor 50”, të kalibrit 7.66 mlm, ku edhe ka shtënë njëherë në drejtim të tij, duke e goditur në pjesën e stomakut.
Aktakuza sqaron se pas kësaj goditje të marrur, i dëmtuari Ardit Qamili ka marrë plagë vdekjeprurëse me çka edhe ka ndërruar jetë.
Sipas akuzës, deri te kjo përleshje kishte ardhur për shkak të një mosmarrëveshje lidhur me prerjen e disa drunjëve në vendin e quajtur: “ Baqja e Jakupit” e cila gjindet në pjesën malore të fshatit Buzovik të Vitisë.
Sipas akuzës, Emërllahu akuzohet edhe për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të pautorizuar të armës, sepse gjatë ditës kritike ka poseduar dhe përdorur armën “ Vizor 50”, që ka shkaktuar edhe vrasjen e të dëmtuarit Ardit Qamili.
Drejtësia Sot, njofton se kallëzimi penal për këtë rast është ngritur nga Policia e Kosovës, më datë:09.09.2017, kurse aktakuza e Prokurorisë është ngritur më datë 05.10.2017.
Monitorues, Vullnet Bugaqku
Lajmet në fokus