Ka vazhduar dhënja e mbrojtjes nga ana e Enver Sekiraqës, i akuzuar për nxitje në vrasje të rëndë të policit Triumf Riza.
Në seancën e kaluar është deklaruar se qëndron në tërësi prapa deklaratave të dhëna më herët. Në bazë të kësaj, as mbrojtja e tij e as prokurori Haki Gecaj, nuk kishin pyetje të tjera për të, pasiqë gjithçka është sqaruar më herët.
Kryetari i turpit gjykues, Shashivar Hoti, kërkoi sqarim nga Sekiraqa për atë çfarë kishte bërë ditë e 30 qershorit 2007, ditën kur ishte vrarë Triumf Riza. Sekiraqa tregoi se një pjesë të ditës kishte qenë në shtëpi por edhe në lokalin “Sekiraqa”. Në mbrëmje derisa ishte duke dalur nga shtëpia, kishin ardhur policia por kishte arritur të ikë nga ta. Thotë se gjatë kohës sa policia kanë qenë në shtëpinë e tij, kanë thyer dyer, rrahur babain e kërcënuar nënën, duke i thënë që kemi me e vra Enverin. Pas asaj, thotë që nuk ka qëndruar në shtëpi për tre muaj për shkak të kërcënimit të policisë dhe vrasjeve që janë bërë për t’iu hakmarrë. As në lokalin “Sekiraqa” nuk kishte qenë në atë kohë sepse për afër 20 ditë aty kishin qëndruar policia. Një ditë pas largimit të policisë, kanë gjuajtur bombë prandaj është ndjerë i kërcënuar.
Me Arben Berishën i cili, në bazë të aktakuzës, është vrasësi i Triumf Rizës, i nxitur nga Enver Sekiraqa, thotë se nuk e ka njohur, as nuk ka folur apo pirë kafe me të. Sipas tij, ata të dy kanë pasur probleme mes vete. Për këtë gjë është i njoftuar me siguri të plotë.
Triumf Rizën thotë se ka dashur ta vras në kohën kur i ndjeri Triumf e ka rrahur dhe tërhequr zvarrë, por nuk e ka bërë. Këtë gjë nuk do ta bënte as për Adelina Ismajlin. Adelina ka qenë në lidhje edhe më djemë të tjerë pas meje, thotë Sekiraqa, por të gjithë janë gjallë e shëndosh e mirë.
Enver Sekiraqa deklaroi se gjykimi ndaj tij është politik sepse e kishin ftuar të gjithë për vota por nuk ishte bashkuar me asnjë. Thotë se kanë kërkuar 1 milion euro nga ai e pastaj kanë rënë në 300 apo 400 mijë por nuk do t’i jap as 30 euro për këtë punë.
Avokati i tij kërkoi lirimin nga paraburgu me arsyetimin se nuk ekzistojnë rrethanat që ai të vazhdoj të qëndroj në paraburgim. Trupi gjykues e refuzoi kërkesën e mbrojtje duke deklaruar se Enver Sekiraqa do të vazhdoj qëndrimin në paraburgim.
Enver Sekiraqa qëndron në paraburgim tash e 7 vjet. Për një kohë të shkurtë ka qenë në arrest shtëpiak por e kishte thyer urdhërin prandaj është kthyer prap në paraburgim.
Sipas aktakuzës, Enver Sekiraqa ka nxitur Arben Berishën që ta privoj nga jeta Triumf Rizën. Këtë gjë Arben Berisha e ka bërë në bashkëkryerje me Rrahim Abdullahun, Ilir Abdullahu dhe Fitim Avdiu. Ata kanë ndjekur veprimet e tij para vrasjes. Kjo për arsye të hakmarrjes personale ndaj Triumf Rizës, thuhet në aktakuzë.
Enver Sekiraqa është i dënuar me 37 vjet burgim nga gjykata e shkallës së parë. Pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit, e ka kthyer në rigjykim.
Monitoruese Ermirë Januzi
Lajmet në fokus