FERIZAJ – Gjykata Themelore në Ferizaj, të hënë me datë 29 Korrik 2019, e ka dënuar me 200 euro gjobë të akuzuarin për blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, Fatos Zeqiri.
Gjyqtarja gjykuese Fitore Daci, në shpalljen e aktgjykimit, e ka njoftuar të akuzuarin se gjësendet e sekuestruara përkohësisht, i konfiskohen si dhe e njoftoi se në rast të mos pagesës së gjobës, ky dënim do t’i zëvendësohet me dënim me burg, duke iu llogaritur 20 euro për një ditë burgimi.
Pas leximit të aktakuzës nga Prokurorja e Shtetit Ajtene Zoni, i akuzuari pranoi fajësinë për veprën për të cilën ngarkohet, shtoi se i vjen keq dhe i premtoi Gjykatës që nuk do të kryejë vepër të tillë penale.
“I premtoj Gjykatës që në të ardhmen nuk do të kryejë vepër të tillë penale si dhe kërkoj nga Gjykata që të më shqiptoj një dënim më të butë”.
Prokurorja e Shtetit nuk kundërshtoi pranimin e fajësisë nga i akuzuari, shtoi se e njëjta është bërë vullnetarisht dhe është në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi. E njëjta u aprovua edhe nga Gjyqtarja gjykuese.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit, për shkak se në vitin 2018, gjatë një kontrolli preventiv nga Policia Kosovës, të njëjtit i janë gjetur një mulli për bluarjen e marihuanës dhe substancë narkotike të llojit marihuanë, të cilat i janë sekuestruar, me këto veprime ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
Monitorues: Mentor Buzhala
Lajmet në fokus