Dënohet me gjobë dhe me kusht, i akuzuari për vjedhjen e një baterie të veturës

Monitoruar nga

14:56 / 29 Korrik 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

FERIZAJ – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpallur aktgjykim dënues, ndaj dy të akuzuarëve për shkak të veprave penale vjedhje dhe blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale, Fatos Zeqiri dhe Jusuf Nuhiu.

Të akuzuarit për vjedhje Fatos Zeqiri, i është shqiptuar dënim me gjobë në shumën prej 200 eurosh si dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 5 muajve, i cili nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale.
Ndërsa, i akuzuari për blerje, pranim ose fshehje të sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale Jusuf Nuhiu, është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 muajve, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale.

Ky aktgjykim është shpallur, pasi paraprakisht të akuzuarit pranuar fajësinë për veprat, për të cilat ngarkoheshin në aktakuzë.

Prokurorja e Shtetit Ajtene Zoni, nuk e kundërshtoi pranimin e fajësisë nga të akuzuarit, shtoi se pranimi është bërë vullnetarisht, është në përputhje me dispozitat ligjore si dhe i propozoi Gjykatës që gjatë matjes së dënimit të i marrë parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese për të akuzuarit.

Gjyqtarja gjykuese Fitore Daci, aprovoi pranimin e fajësisë nga të akuzuarit, duke shtuar se pranimi është bërë vullnetarisht si dhe është në përputhje me provat që gjenden në shkresat e lëndës.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Fatos Zeqiri, për shkak se në vitin 2018, në parkingun e marketit ELI AB, i njëjti ia merr pasurinë të dëmtuarit H.I, në atë mënyrë që hap haubën e veturës dhe ia merr baterinë, me këto veprime ka kryer veprën penale vjedhje, ndërsa ndaj të pandehurit Jusuf Nuhiu, kishte ngritur aktakuzë për shkak se i njëjti kishte blerë baterinë e njejtë, për të cilën ka qenë në dijeni se e ka përfituar me kryerjen e veprës penale, me këto veprime ka kryer veprën penale blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale.

Monitorues: Mentor Buzhala