Afrim Baliu nga Gjilani, u shpall fajtor nga Gjykata Themelore në Gjilan për veprën penale “Kanosje”. Në vendimin që u komunikua sot pasdite nga gjyqtari i çështjes Rilind Sermaxhaj, të akuzuarit Baliu iu shqiptua dënim prej dy muaj burgim me kusht, i cili nuk do të ekzekutohet nëse brenda 1 viti nuk kryen vepër tjetër penale, raporton Drejtësia Sot.
“Këtë dënim e shqiptoi për faktin se i akuzuari pranoi fajësinë dhe shprehu pendim për veprën penale në fjalë”, tha gjatë shpalljes së vendimit, gjyqtari Sermaxhaj.
Gjithashtu, gjyqtari e njoftoi të akuzuarin se kundër këtij vendimi pala e pakënaqur mund të parashtroi ankesë në Gjykatë të Apelit, në afat prej 15 dite pas pranimit të tij.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë në Gjilan, Afrim Baliu akuzohet se ka kryer veprën penale “ Kanosje” sepse më datë 18 Maj 2019, e kishte kanosur vëllaun e tij Naim Mustafa.
Në akuzë thuhet se, gjersa i dëmtuari Mustafa, ishte duke hequr një bojler tek një shtëpi e vjetër e familjes së tyre, pronë kjo e cila është në kontest mes tyre, i akuzuari Afrim Baliu, me ta parë që vëllau kishte dalur nga aty, e kishte ndalur dhe i kishte kanosë me fjalët: “ po hyre edhe njëherë te shpia e vjetër kah prona ime, kam me t’i thyer dy këmbët, e kam me t’i pre”.
Akuza thotë se si pasojë e kësaj kanosje, te i dëmtuari është shkaktuar ndjenjë e frikës, ankthit dhe pasigurisë për vetën e tij.
Përndryshe, parapaprakisht gjatë ditës u mbajt seanca fillestare për këtë lëndë, ku i akuzuari Baliu pas leximit të aktakuzës nga prokurori Halim Borovci, kishte deklaruar se e pranon fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.
Monitorues, Vullnet Bugaqku
Lajmet në fokus