Bujar Emërllahu nga Vitia i akuzuar për veprat penale të vrasjes dhe armëmbajtje paleje, u shpall fajtor dhe u dënua me dënim unik prej 14 vite burgim nga Gjykata Themelore në Gjilan, raporton Drejtësia Sot.
Një trup gjykues prej tre anëtarëve i kryesuar nga gjyqtari Aziz Shaqiri, njoftoi se pas administrimit të provave, dëgjimit të dëshmitarëve e rikonstruksionit të vendit të ngjarjes është arritur të vërtetohet se i akuzuari Bujar Emërllahu është fajtor për veprën penale të vrasjes dhe dënohet me 13 vite e 6 muaj burgim.
Po ashtu, gjykata e shpalli fajtor dhe e dënoi të akuzuarin me 1 vit burgim për veprën armëmbajtje pa leje, sepse në ditën kritike ka poseduar dhe përdorur paleje armën e llojit “Vizor 50”.
Kurse si dënim plotësues gjykata shqiptoi konfiskimin e armës dhe fishekët e saj.
Trupi gjykues vendosi edhe që i njejti të paguaj shpenzimet e procedurës penale në shumê prej 81 Eurosh, poashtu paushallin gjyqësor në vlerë prej 120 euro dhe 50 euro në emër të kompensimit të viktimave.
Gjykata në fund njoftoi se pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike, udhëzohet në kontest civil.
Vlen të theksohet se për këtë ngjarje i akuzuari Emërllahu, ishte dënuar edhe më parê me dënim unik prej 14 vite burgim nga Gjykata Themelore e Gjilanit, por pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe çështjen e pati kthyer në rivendosje.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë në Gjilan, Bujar Emërllahu akuzohet për veprën penale të vrasjes, sepse më datë 08.09.2017, në pjesën malore të fshatit Buzovik të Vitisë, pas një përleshje me personin Ardit Qamili lidhur me prerjen e disa drunjëve, e ka nxjerrë armën e llojit “ Vizor 50”, e kalibrit 7.66 mlm, ka shtënë njëherë në drejtim të tij, duke e goditur në pjesën e stomakut.
Vendimi i gjykatës sqaron se, pas kësaj goditje të pësuar, i dëmtuari Ardit Qamili ka marrë plagë vdekjeprurëse me çka edhe ka ndërruar jetë.
Drejtësia Sot e ka monitoruar në vazhdimësi këtë rast:
Jepet fjala përfundimtare në gjykimin për vrasje në Buzovik të Vitisë
Monitorues, Vullnet Bugaqku
Lajmet në fokus