Dënohet me 1 vit burgim me kusht dhe 500 euro gjobë për posedim të paautorizuar të narkotikëve

Gjykata Themelore , Pejë

Monitoruar nga Blerta Kelmendi

12:04 / 23 Korrik 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Gjykata Themelore në Pejë, ka shpallur fajtor të akuzuarin Valdrin Fetahaj, për posedim të paautorizuar të narkotikëve. I akuzuari, në shqyrtimin fillestar ka pranuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë.

Më pranimin e fajësinë është pajtuar edhe prokurorja e rastit Suada Hamza, e cila shtoi se pranimi i fajësisë është bërë në mënyrë vullnetare dhe ka mbështetje në provat e bashkangjitura në aktakuzë.

Gjyqtari i çështjes Shaqë Curri, me aktvendim ka aprovuar pranimin e fajësisë me ç’rast edhe ka shqiptuar dënimin ndaj të akuzuarit, duke e dënuar me 1 vit burgim me kusht, i cili nuk do të ekzekutohet nese i akuzuari brenda periudhës 1 vjeçare nuk kryen vepër tjetër penale. Njëkohësisht ndaj të njëjtit është shqiptuar dënimi me gjobë prej 500 (pesëqind) euro, të cilën obligohet ta paguaj brenda afatit të caktuar ligjor. Ndërsa në emër të paushallit gjyqësor obligohet të paguaj shumën prej 20 (njëzetë) euro dhe shumën prej 30 (tridhjetë) euro për kompenzimin e viktimave, në afat prej 15 ditësh pas plotëfuqishmërisë së aktgjykimit.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Drejtësia Sot”, i akuzuari Valdrin Fetahaj, me datë 04.11.2018, afër lokalit “Tranzit Club”, pa autorizim posedon narkotikë. Pas kontrollit rutinor të policisë në veturën e markës “Mercedes”, në të cilën ishte pasagjer i akuzuari, të njëjtit i është gjetur substanca e dyshuar narkotike, e cila pas ekzaminimit rezulton se është e llojit marihuanë, me peshë 4.0 gram.

Monitoruese: Blerta KELMENDI, Selvije MORINA