Dënohen me gjobë dhe burgim me kusht të akuzuarit për narkotik

Gjykata Themelore , Mitrovicë

Monitoruar nga

13:04 / 04 Korrik 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Gjykata Themelore në Mitrovicë, i ka shpallur fajtor të akuzuarit Flamur Smajli dhe Denis Ibrahimi për veprën penale Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psiko-trope.

Të akuzuarit janë dënuar me tre (3) muaj burgim me kusht dhe 100 euro gjobë, të cilën do ta paguajnë në afatin ligjor prej 15 ditëve, raporton / Drejtësia sot.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Branka Semenov, dënimi me burgim nuk do të ekzekutohet nëse të akuzuarit nuk kryejnë vepra tjera penale brenda periudhës verifikuese prej një viti.

Krahas kësaj gjykata ka shqiptuar edhe dënimin plotësues konfiskimin e substancës narkotike në vlerë prej 0.59 gram.

Këtë dënim gjykata e ka shqiptuar duke pasur parasysh rrethanat lehtësuese si pranimin e fajësisë, gjendjen ekonomike të akuzuarve dhe premtimin e tyre se në të ardhmen nuk do të kryejnë vepra tjera penale.

Poashtu gjykata i ka obliguar të akuzuarit që ti paguajnë shpenzimet e procedurës në shumë prej 15 euro, paushallin gjyqësor në shumë prej 15 euro dhe shumën prej 30 euro për fondin e kompensimit të viktimave.

Një dënim të tillë gjykata e ka shqiptuar pasi që paraprakisht në seancën fillestare të akuzuarit u deklaruan të fajshëm.

Të akuzuarit kanë thënë se ju vije keq për rastin që ka ndodhur dhe i kanë premtuar gjykatës që në të ardhmen nuk do të kryejnë vepra tjera penale.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar as Prokurorja e Shtetit Natasha Taniq e cila kërkoi nga gjykata që ta aprovoi pasi që sipas saj ka mbështetje në provat e lëndës dhe se është bërë në mënyrë vullnetare.

Më pas, gjykata e ka pranuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve me arsyetimin se mbështetet në provat e lëndës.

Sipas aktakuzës së ngritur më 19.10.2018, Flamur Smajli dhe Denis Ibrahimi akuzohen se paautorizim kanë poseduar substanca narkotike.

Në aktakuzë thuhet se më datën 10.07.2017 rreth orës 12:00 afër lumit Ibër kanë poseduar substancë narkotike-marihuanë në peshë të përgjithshme prej 0.59 gram e cila u konfiskua nga njësia policore për hetimin e trafikut të narkotikëve.

Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psiko-trope / Drejtësia sot.

Monitorues Egzon MUSA