Dëgjohet eksperti financiar në gjykimin ndaj ish-drejtorit të financave në Komunën e Kllokotit

Gjykata Themelore , Gjilan

Monitoruar nga Vullnet Bugaqku

13:12 / 11 Korrik 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Nikola Nojkiq- ish drejtor i Komunës së Kllokotit, po gjykohet në Gjykatën Themelore të Gjilanit për veprën penale “ Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, raporton Drejtësia Sot.

Në shqyrtimin e sotëm gjyqësor, u procedua me dëgjimin e ekspertit financiar Riza Blakaj.
Eksperti Blakaj, duke iu përgjigjur pyetjeve të parashtruara së pari nga mbrojtja e të akuzuarit, pastaj Prokurori i shtetit dhe trupi gjykues, deklaroi se i qëndron tërësisht ekspertizës financiare të hartuar për këtë çështje.
Gjatë elaborimit të ekspertizës financiare, eksperti Blakaj potencoi se me këtë ekspertizë ka konstatuar që i akuzuari Nojkiq, për periudhën kohore nga muaji Gusht 2015 e deri në muajin Maj 2016, nuk ka arsyetuar se ku i ka dorëzuar shumën e të hollave në vlerë prej 10 mijë e 390 euro.

“ Se sa para janë dorëzuar e sa janë pranuar nga i akuzuari, të gjitha janë në fund të ekspertizës në pikën 3, dhe aty figuron se 10 mijë e 390 euro është vlera e pranimit të këtyre të hollave në mënyrë të paautorizuar dhe të cilat janë të paarsyetuara nga ana e të akuzuarit”, tha mes tjerash ekperti Blakaj.

Kujtojmë se, sipas akuzës së Prokurorisë në Gjilan, Nikola Nojkiq, akuzohet për veprën keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar, sepse, që nga periudha kohore Gusht 2015 e deri në Maj 2016, si drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Komunën e Kllokotit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie pasurore për vete dhe personin tjetër, me dashje nuk ka kryer detyrat e domosdoshme të caktuar me ligj.

Sipas akuzës, i akuzuari Nojkiq pa qenë i autorizuar ka bërë pranimin e të hollave në shumë prej 14 mijë eurove nga zyrtari Boban Bogdanoviq, dhe arkatarët Bislim Trena dhe Zhivorad Vesiq. Prokuroria pretendon se këto të holla i akuzuari vetëm shumën prej 3 mijë e 623 euro i ka deponuar në gjirollogarinë bankare të Komunës, ndërsa nuk ka dorëzuar shumën prej 10 mijë e 395 euro në llogarinë bankare të komunës.

Aktakuza thotë se në këtë mënyrë i akuzuari duke përfituar për vete këto të holla, i ka shkaktuar dëm komunës së Kllokotit në vlerën e cekur prej 10 e 950 euro.

Drejtësia Sot, njofton se kallëzimi penal për këtë rast ishte ngritur nga Policia e Kosovës më datë 13.03.2018, kurse një muaj më vonë më datë 24.04.2018, Prokuroria e Gjilanit kishte ngritur aktvendimin për fillimin e hetimeve.
Meqenëse kryetari i trupit gjykues kishte një gjykim të caktuar për orën 10 e 30 min, seanca u ndërpre dhe u vendos të shtyhet për datën 18.09.2019.

Monitorues, Vullnet Bugaqku