Të premten me datë 05 korrik 2019, Policia e Kosovës, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, kishte pranuar një informatë nën dyshimin e kryerjes së veprave penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrja e ryshfetit, nga pronari i një auto-shkolle me seli në Fushë Kosovë dhe disa zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës.
Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, janë arrestuar 23 persona për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrja e ryshfetit.
Në mesin e të arrestuarve janë zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, menaxherë, mjekë dhe një psikolog.
Të dyshuar janë: Adem Binakaj, Agim Restelica, Ava Kurteshi, Avdush Topalli, Azem Miftari, Burim Jashari, Dragan Zhivkoviq, Eduart Brahimaj, Fejzullah Ejupi, Filiz Krasniqi, Filloreta Ajvazi, Flamur Lekaj, Flora Ferizi, Haki Jashari, Labinot Ajeti, Laurat Shehu, Liljana Bozhanic, Magbule Mehmeti, Naser Bislimi, Naser Llugaliu, Premtim Topalli, Shkelqim Statofci dhe Shaban Zuka.
Personat e lartëcekur dyshohet se u kanë mundësuar personave të tjerë që të pajisen me patentë shofer të kategorive të ndryshme pa i kaluar testet e nevojshme, në kundërvlerë të parave në vlera të ndryshme, varësisht prej kategorisë që kanë qenë të interesuar ta marrin.
Gjithashtu, nga ky aksion janë sekuestruar, teste për provim me shkrim, dy DVR të kamerave, dy fletore të regjistrit të kandidateve për patentë shofer, si dhe dhjetë fletore të kandidatëve që janë pajisur me certifikata, të gjitha këto prova relevante që do të përdoren si dëshmi në procedura gjyqësore.
Me aktvendim të prokurorit të shtetit të gjithë të dyshuarve u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve.
Për këta të dyshuar është mbajtur seanca dëgjimore, me datë 07 korrik 2019, në Gjykatën Themelore në Prishtinë ku gjatë kësaj seance prokurori i shtetit Ilaz Beqiri kishte kërkuar që të caktohet masa e paraburgimit për 19 nga 23 prej tyre.
Prokurori është tërhequr nga kërkesa për caktimin e paraburgimit për të pandehurit: Shkelqim Statovci, Haki Jashari, Liljana Bozhaniq dhe Ava Kurteshi,pasi që kishte vlerësuar se nuk ekziston bazë për caktimin e kësaj mase, ndërsa për të pandehurit e tjerë pritet që brenda 48 orëve Gjykata të marrë vendim.
Monitoruese: Biondina Zeneli
Lajmet në fokus