Shqyrtimi gjyqësor, pas deklarimit të dëshmitarit të parë Agron Gjinovci, vazhdoi me dëshminë e dëshmitarit Shaban Shala, i propozuar nga ana e prokurorisë. Ai tha se nëna e tij kishte pasur sulm dhe atë natë e kishte dërguar vëllau i tij në spitalin e Vushtrrisë. Qendra e Emergjencës në Vushtrri i kishin dhënë udhëzimin për në QKUK, ku më pas bashkë me vëllaun dhe nënën kanë shkuar në Prishtinë. Në QKUK është bërë ekzaminimi ku i pranishëm ka qenë doktor Masar Gashi. Doktori i kishte thënë se nëna e dëshmitarit nuk është e mirë dhe se duhet që ta dërgojnë në spital privat, po ashtu iu kishte dhënë numrin e telefonit të njërit nga spitalit privat, në rastin konkret të spitalit privat “EDA”, ai u kishte treguar për gjendjes e nënës ku pas 10 minutave ka ardhur ndihma e shpejtë e këtij spitali. Në spitalin privat kishte dalur Lulzim Brovina, i cili iu kishte thënë se e ka një ngushtim dhe duhet të vendosin një stentë. Për këto iu kishin kërkuar 4.000 euro.
Në pyetjen e Prokurores se Masar Gashi a i kishte propozuar vetëm një spital privat apo dy, dëshmitari tha se doktori i kishte përmendur dy spitale, mirëpo, kur e ka pyetur se cili spital është më i mirë ai i kishte thënë se më i mirë është Spitali “EDA”.
I njejti kishte bërë kërkesë për kompensim në Ministrinë e Shëndetësisë, por nuk kishte mundur që ta realizoj me arsyetimin se ka raste të shumta dhe nuk kanë mundësi që t’ia bëjnë kompensimin.
Deklarimi i këtij dëshmitari u ndërpre sepse për shkaqe shëndetësore i njëjti nuk mundi që të vazhdojë deklaratën e tij. Kryetarja e Trupit gjykues tha se dëshmitari do të ftohet përsëri për të dëshmuar.
Rast të ngjashëm me dëshmitarin Shaban Shala kishte pasur edhe Sheqir Mecinaj, vetëm se ky dëshmitar kishte dërguar bashkëshorten e tij në spital pas infarktit akut. Ai tha se qëndron pranë deklaratës së dhënë para prokurorit Besim Kelmendi, dhe meqenëse e ka dhënë deklaratën në prokurori qëndron në tërësi pranë saj dhe nuk ka çfarë të shtoj më shumë.
Ai vazhdoi me përgjigjet në pyetjet e prokurores Florije Shamolli, ku deklaroi se pasi që e ka dërguar në Qendrën Emergjente në Skenderaj, njëri nga kardiologët i ka dhënë udhëzim për ta dërguar bashkëshorten e tij në QKUK. Me ardhjen në QKUK, mjeku kujdestar që ka qenë atë natë, ka konstatuar se rasti është shumë i rëndë dhe urgjent i ka propozuar që ta dërgojnë në spital privat, ai tha se nuk i kujtohet mirë por i duket se ka qenë doktor Masar Gashi. Edhe ky kishte vepruar njejtë me bashkëshorten e tij duke e dërguar në spitalin privat “EDA” që të ja shpëtoj jetën, mirëpo, bashkëshortja e tij pas disa ditësh kishte ndërruar jetë po në këtë spital. Sheqir Mecinaj, tha se do të shkoj në prokurori që ti akuzoj edhe personelin e spitalit për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësorë, sepse sipas tij si pasojë e kësaj bashkëshortja e tij kishte vdekur.
Shqyrtimi gjyqësor vazhdoi dëshminë e dëshmitarit Islam Gashi, i cili kishte ardhur në seancë në cilësinë e dëshmitarit dhe palës së dëmtuar. Edhe dëshmitari Gashi, deklaroi se mbetet në tërësi pranë deklaratës së dhënë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës 12.11.2014. Ai deklaroi se babai i tij në vitin 2012 ka pësuar infarkt dhe fillimisht e ka dërguar te mjeku në Suharekë, ku e ka marrë edhe udhëzimin për QKUK. Ai deklaroi se “Kur kam ardhur në QKUK kam pyetur se cili është mjeku për i mirë për zemër dhe më kanë thënë se më i miri është Masar Gashi, me të njëjtin jam takuar dhe kam biseduar për babën”. Edhe Islam Gashi sikurse të tjerët e kishin drejtuar për në spitalin privat “EDA”, që t’ia shpëtojnë jetën babait të tij, por që edhe babi i tij nuk kishte pasur fatin që intervenimi të ketë sukses sepse i njejti më pas kishte vdekur. Dëshmitari gjatë shqyrtimit deklaroi se pas intervenimit gjendja e babës nuk ka qenë e mirë, andaj e kishte dërguar përsëri në ordinancë private në Suharekë ku e kishte kontrolluar doktor Masar Gashi. Pas një jave e kishte sjellë përsëri në QKUK, ku ka qëndruar 3 ditë. Ai tha se prindi i tij ka vdekur nga pakujdesia e mjekëve. Ai deklaroi se vetë prokuroria e kanë thirrur për të dëshmuar, tha se është i dëmtuar dhe kërkon kompensim dëmi.
I akuzuari, Masar Gashi, kërkoj ekspertizë për arsyeshmërinë për intervenimin për stenta, për babain e këtij dëshmitari, sikurse që kërkoi edhe për dëshmitarin Sheqir Mecinaj. Seanca e radhës u caktua për datën 21.06.2019, në orën 09:00. Për seancën e radhës palët e pranishme u njoftuan se dëshmi do të japin edhe katër dëshmitarë, Elife Bajraktari, Skender Gashi, Bujar Agani dhe Nusret Mehmeti.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me aktakuzë i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2”, se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjisë në SHSKUK në Prishtinë, të njejtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprimet kanë marrë ryshfet. Sipas aktakuzës për çdo pacientë që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronorografi merrnin nga 150 euro ryshfet.
Monitoruese: Biondina ZENELI
Lajmet në fokus