Pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë (Departamenti për Krime të Rënda), u mbajt shqyrtimi gjyqësor i hapur për publikun për rastin “STENTA 2” ndaj të akuzuarve: Gani Bajraktari, Sami Gjoka, Faik Shatri, Hamza Selmani, Banush Gashi, Hilmi Pallaska, Fisnik Hima, Daut Gorani, Lulije Ademi, Hajdin Qitaku, Agim Krasniqi, Ali Pllana, Edmond Haliti, Afrim Koniku, Dardan Koqinaj, Xhevdet Krasniqi, Halil Batalli, Naze Prokalla, Rexhep Mani, Elhedim Muhaxheri, Nehat Rexhepaj, Nexhmi Zeqiri, Florim Sadiku, Lulzim Kamberi, Reshat Emra, Halil Halili, Agron Leka, Agron Besimi, Galina Berisha, Driton Miftari, Besnik Koliqi, Masar Gashi, Shemsedin Shekollari, Besim Guda, Bajram Godeni, Ismajl Avdimetaj, Afërdita Selmanaj, dhe Sali Shala për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për të cilën vepër të akuzuarit mund të dënohen nga 6 muaj deri në 5 vite dënim me burgim.
Gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor të udhëhequr nga gjyqtarja e Trupit Gjykues, Shadije Gërguri, kryetare dhe anëtarët e trupit gjykues Shashivar Hoti dhe Agim Kuçi ishte planifikuar të tregonin dëshminë e tyre tre dëshmitarë të cilët ishin të pranishëm në shqyrtimin gjyqësor, mirëpo gjatë këtij shqyrtimi dëshminë arritën ta japin vetëm dy nga ta, Islam Fetahi dhe Enver Pacolli të cilët dëshmuan në lidhje me rastin për të cilin akuzohen të pandehurit.
Gjyqtarja e trupit gjykues i largoi dëshmitarët e tjerë nga salla e gjykimit, dhe e ftoi dëshmitarin Islam Fetahi, për tu deklaruar në lidhje me rastin.
Shqyrtimi gjyqësor filloi me dëshminë e dëshmitarit Islam Fetahi, ndaj të cilit Prokurorja e rastit Florije Shamolli, i drejtohet dëshmitarit, të cilin e pyeti në lidhje me deklaratat të cilat i kishte dhënë ky dëshmitar në Prokurorinë Speciale, të cilat deklarata ky dëshmitar i konfirmoi duke thënë se qëndron në tërësi pranë deklaratave të dhëna pranë kësaj prokurorie.
Dëshmitari Islam Fetahi, i ofroi një dokument kryetares së trupit gjykues, gjatë seancës së shqyrtimit gjyqësor, të cilin dokument kryetarja e trupit gjykues e pranoi, ndërsa, avokati Arianit Koci kërkoi sqarime në lidhje me këtë dokument që dëshmitari i dha kryetares së trupit gjykues Shadije Gërguri, dhe e kundërshtoi marrjen e këtij dokumenti nga ana e gjyqtares, mirëpo e njëjta tha se ky dokumentacion është në përputhje me dëshminë e dëshmitarit , dhe nuk ka asnjë arsye që mos ta pranoj këtë shkresë.
Njëri nga avokatët, përkatësisht avokat Dukagjin Kërveshi pati vërejtje gjatë shqyrtimit gjyqësor, pasi që njëri nga dëshmitarët e larguar kishte qëndruar në sallë, dhe kishte dëgjuar dëshminë e dëshmitarit që ishte duke e dhënë dëshminë.
Gjatë kësaj seance, i akuzuari, Agim Krasniqi pati vërejtje në dëshminë e dëshmitarit duke shtuar se është e pamundur të dihet se sa stenta janë vendosur, sepse në raste të shumta mund të paraqitet nevoja për më shumë stenta sesa që është u thuhet fillimisht pacientëve, sepse, gjatë operacionit mund të paraqiten rrethana të tjera të cilat kërkojnë vendosjen e më shumë stentave.
Kryetarja e trupit gjykues i tërheqi vërejtjen avokat Arianit Koci, për ndërhyrje në dëshminë e dëshmitarit, kurse avokati kërkoi që ta ndërprejë seancën për arsye të largimit të akuzuarës Ferihane Sefa nga salla e gjykimit.
Në orën 11:11 gjyqtarja e ndërpreu shqyrtimin gjyqësor për një pauzë, duke njoftuar palët se vazhdimi i seancës do të bëhet në ora 11:30.
Në ora 11:30 filloi vazhdimi i shqyrtimit gjyqësor, me dëshmitarin Enver Pacolli, i cili deklaroi se mbetet pranë dëshmisë së dhënë në Prokurorinë Speciale me datë 09.02.2016, dhe i njëjti u përgjigj në pyetjet e tjera të drejtpërdrejta dhe të tërthorta të parashtruara atij.
Avokati Arianit Koci, gjatë dëshmisë së dëshmitarit kishte ndërhyrë duke iu drejtuar kryetarës së trupit gjykues, se prokurorja nuk është fare në temë dhe se nuk është objekt i akuzës ajo për çka prokurorja është duke e pyetur dëshmitarin.
Seanca u ndërpre nga ana e kryetarës së trupit gjykues në ora 12:21, për një pushim për të vazhduar më tej në ora 13:15.
Seanca vazhdoi 45 minuta me vonesë, më saktësisht në ora 13:50. Pasi që hyri trupi gjykues në sallë, seanca gjyqësore nuk vazhdoj menjëherë për shkak të mungesës së të akuzuarës Ferihane Sefa, sepse e njëjta kishte probleme me frymëmarrje dhe refuzonte që të hynte në sallë për shkak të këtyre problemeve. Kryetarja e trupit gjykues tha se asaj nuk i është ofruar asnjë dokument nga konsoliumi mjekësorë në lidhje me gjendjen shëndetësore, të kësaj të akuzuare, dhe kërkoi që e akuzuara të kthehet në sallë, sepse e njëjta po e zvarriste procedurën.
Av. Arianit Koci propozoi që procedura të veçohet për të akuzuarën Ferihane Sefa sipas bindjes së lirë të gjykatës, sepse në këtë rast nuk mund të vazhdojë gjykimi në mungesë të ndonjërit të akuzuar, dhe se ky shqyrtim është përfshirë vazhdimisht me shkelje procedurale për shkak të mungesës së kësaj të akuzuare në shqyrtim gjyqësor të mbajtur sot dhe në seancën e kaluar, mirëpo, kryetarja e trupit gjykues, Shadije Gërguri tha se para fillimit të seancës e akuzuara ka kërkuar që herë pas here të dalë nga seanca gjyqësore për shkak të problemeve shëndetësore me frymëmarrje dhe këto nuk i procedoi në procesverbal.
Kryetarja e trupit gjykues konstatoi se e akuzuara Ferihane Sefa nuk është në gjendje të jetë e pranishme dhe të merr pjesë në seancën gjyqësore. Kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri tha se do të kërkojë mendim nga konsoliumi mjekësor, në mënyrë që të tregojnë në lidhje me gjendjen shëndetësore, të kësaj të akuzuare e në rast se mjekët vlerësojnë se e njëjta nuk është në gjendje që të vazhdoj me procedurë dhe të marrë pjesë në seanca gjyqësore atëherë do të veçojë procedurën ndaj saj.
Seanca përfundoi në ora 14:05 minuta, dhe seanca e radhës u caktua për datën 07.06.2019 në ora 09:00 në objektin e Pallatit të Drejtësisë.
Monitorues: Biondina ZENELI dhe Leutrim HIMAJ
Lajmet në fokus