Sot në Gjykatën Themelore në Gjilan u dhanë fjalët përfundimtare për të akuzuarin Afrim Zenuni nga Komuna e Vitisë, nën akuzën armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës.
Prokurori Agron Uka dhe mbrojtësi i të akuzuarit Afrim Zenuni avokati Shemsedin Pira, fjalën përfundimtare e dorëzuan me shkrim, por gjatë seancës të njejtën e elaboruan në pika të shkurtra.
Prokurori tha se mbetet pranë aktakuzës dhe kërkoi nga gjykata që të akuzuarin t’a shpall fajtor dhe t’a dënoi sipas ligjit, ndërsa mbrojtja theksoi se me rastin e marrjes së vendimit gjykata duhet t’i ketë parasysh rrethanat lehtësuese lidhur me armëmbajtjen pa leje pasi arma ka qenë me gaz, ndërsa shtoi se i mbrojturi i tij nuk e ka përdorur armën.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan të datës 09.03.2018 thuhet se i akuzuari Afrim Zenuni ka mbajtur në pronësi armën e zjarrit në kundërshtim me ligjin për armët, si dhe të njejtën e ka përdorur gjatë një kacafytje me Muhamet, Herolind dhe Elbasan Bilalli nga Vitia.
Kryetari i trupit gjykues Islam Thaqi njoftoi palët se shpallja e aktgjykimit do të bëhet me datën 01 korrik në ora 15:00.
Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët lidhur me këtë rast http://www.rolpik.org/afrim-zenuni-deklarohet-i-pafajshem-per-perdorim-te-armes/
Monitoruese: Ronita HALIMI
Lajmet në fokus