Në Gjykatën Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, u mbajt seanca e parë e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve Robert Kaçinari, Eduard Kaçinari nga Prizreni dhe Arton Bajrami nga Deçani.
Në këtë shqyrtim, u paraqit fjala hyrëse e palëve, duke vazhduar me procedurën e provave, dëshminë e dëshmitarit Adem Bajramaj dhe Bali Rrahmanaj, raporton “Drejtësia Sot”.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Robert gjykohet për veprën penale vrasje e rëndë të mbetur në tentativë dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve sipas Kodit Penal të Kosovës. Ndërsa, dy të akuzuarit tjerë Eduardi dhe Artoni gjykohen për veprën penale pjesëmarrje në rrahje sipas Kodit Penal të Kosovës.
Pasi që Prokurori i Shtetit Ervehe Gashi lexoi aktakuzën, të akuzuarit u deklaruan lidhur me fajësinë.
Roberti deklaroi që pranon fajësinë për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Ndërsa për veprën penale vrasje e rëndë të mbetur në tentativë, deklaroi se nuk e pranon fajësinë.
Pastaj, edhe Eduardi dhe Artoni u deklaruan lidhur me fajësinë për veprën penale pjesëmarrje në rrahje, duke thënë se nuk e pranojnë fajësinë.
Shqyrtimi gjyqësor në vijim vazhdoi me fjalën hyrëse të palëve në procedurë, sipas radhës që përcaktohet me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës dhe me prezantimin e provave.
Në vijim, kryetarja e trupit gjykues Rahima Elezi ftoi që të deklaroj dëshminë e tij, dëshmitarin Adem Bajramaj. Dëshmitari Adem pranoi që të dëshmoj, edhe pse ai kishte statusin e dëshmitarit të privilegjuar, pra ai ka mund edhe të mos jep dëshminë e tij.
Në dëshminë e dhënë, Ademi deklaroi se në ditën kritike ka dalë nga vetura dhe e ka parë djalin e tij, tani të dëmtuarin Driton Bajramaj që i ka thënë punëtorit, përkatësisht Eduardit në parking, që të ulë tonin e zërit dhe të mos i bërtas babait të tij.
Ademi më tutje deklaroi që më pas ka ndërhyrë Artoni, që po ashtu është i biri i dëshmitarit, duke dashur që ta qetësoj situatën që u krijua ndërmjet Dritonit dhe Eduardit. Pas disa çastesh, Roberti që është babai i Eduardit, ka ardhur aty ku kemi qenë ne. Në këtë moment, ai ka nxjerrë nga brezi pistoletën, e ka raportirë atë dhe ka shtënë në drejtim të të dëmtuarit, që i ka shkaktuar plagë të rënda në regjionin e qafës.
Pastaj, gjyqtarja Elezi ftoi dëshmitarin Bali Rrahmanaj që të jep dëshminë e tij.
Baliu në dëshminë e tij deklaroi që ditën kur ka ndodhë ngjarja, ai i pari ka kaluar me makinë, pastaj Artoni dhe dëshmitari Adem Bajramaj, me tre vetura të ndryshme. Ai bashkë me Dritonin dhe Artonin, kanë zbritë nga vetura, ku me këtë rast punëtori i parkingut, Eduardi ka filluar të bërtasë. Në këtë rast, i dëmtuari Dritoni ka kërkuar nga ai të qetësohet, duke i thënë që mos të bërtasë dhe të flasë me ton më të ulët. Gjatë kësaj ngjarje, ai ka qenë afër në distancë 2-3 metra dhe e ka parë gjithë ngjarjen.
Pas këtyre shkëmbimeve të fjalëve, Eduardi si punëtor i parkingut i ka thënë atyre që t’i marrin veturat e tyre dhe të largohen nga parkingu. Baliu theksoi t’i ketë thënë atij në rregull, do t’i marrim veturat dhe do të largohemi, por mos të bërtet. Në këto momente, ai ka dëgjuar fjalë fyese dhe sharëse nga njëri prej punëtorëve të parkingut, duke iu thënë që të largohen shpejtë nga aty. Gjithashtu, ai më vonë e ka dëgjuar edhe raportirjen e pistoletës dhe shtënien me të në drejtim të Dritonit, të cilit i ka shkaktuar plagë shumë të rënda.
Në fund të shqyrtimit, kryetarja e trupit gjykues ndërpreu dëshminë e dëshmitarit Bali dhe shqyrtimin gjyqësor për shkak të kalimit të orarit të punës.
Shqyrtimi gjyqësor do të vazhdojë më datë 14.06.2019 në ora 9:30.
Vlen të përmendim që sipas aktakuzës së datës 21.12.2018, i akuzuari Robert Kaçinari akuzohet që më datë 13.08.2018 në parkingun “Toni”, tenton me dashje ta privojë nga jeta personin tjetër. Kështu, ai me dashje vë në rrezik jetën edhe të personave tjerë, duke shkrepur me armën e zjarrit, pistoletë e tipit Beretta-cal. 9mm. Këtë armë të përmendur, i akuzuari ka mbajtë në pronësi dhe posedim, pa leje dhe autorizim të organit kompetent dhe në kundërshtim me Ligjin për armët të Kosovës.
Me këto veprime, i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë të mbetur në tentativë dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve sipas Kodit Penal të Kosovës.
Të akuzuarit Eduard Kaçinari dhe Arton Bajramaj, akuzohen që në ditën e lartcekur kanë marrë pjesë në rrahje të zhvilluar në ditën kritike.
Me këtë veprim, të njëjtit akuzohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrje në rrahje sipas Kodit Penal të Kosovës. (Drejtësia Sot).
Monitorues: Uran ZOGAJ & Lorik KABASHI
Lajmet në fokus