Pas tre viteve në proces gjyqësor, Senad Ramaj kryeshef ekzekutiv i ndërrmarjes publike “ Eco Higjiena” në Gjilan, dhe Besim Osmani përfaqësues ligjor i kësaj ndërrmarje, u liruan sot nga akuza në mungesë provash nga Gjykata Themelore e Gjilanit.
Në seancën e sotme gjyqësore, të udhëhequr nga trupi gjykues Naser Maliqi kryetar, Behar Ymeri dhe Rilind Sermaxhaj anëtar, pasi u morrë fjala përfundimtare e palëve, u bë edhe shpallja e vendimit gjyqësor, raporton Drejtësia Sot.
Në aktgjykimin e shpallur nga trupi gjykues thuhet se, nga shkresat e lëndës, pas administrimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, nuk është vërtetuar pretendimi i prokurorisë se të akuzuarit në fjalë, i kanë kryer veprat për të cilat iu ishin vënë në barrë.
Ndryshe, sipas aktakuzës së prokurorisë në Gjilan, Senad Ramaj akuzohej se, si drejtor i Eco Higjienës në kundërshtim me ligjin, më 10 korrik të vitit 2015, ka keqpërdorur autoritetin e tij zyrtar duke nxjerrë aneks statutin nr.513. Sipas pretendimit të prokurorisë, thuhej se i njëjti e ka ndryshuar dhe nënshkruar këtë aneks statut pa pëlqimin e bordit.
Madje sipas aktakuzës, Ramaj thuhej se kishte marrë edhe vendime në mënyrë të kundërligjshme për pagesa për avokat të pa licencuar, me pagë prej 300 euro në muaj, brenda periudhës një vjeçare.
Kurse Besim Osmani, akuzohej se në mënyrë të kundërligjshme kishte falsifikuar autorizime për të përfaqësuar kompaninë “Eco Higjiena” në konteste gjyqësore.
Në fund trupi gjykues vendosi që shpenzimet e procedurës për këtë rast bien në barrë të buxhetit të gjykatës, kurse palët e pakënaqura kundër këtij vendimi në afat prej 15 dite, pas pranimit të vendimit kanë të drejtë ankese në Gjykatë të Apelit.
Drejtësia Sot njofton se hetimi për këtë rast kishte filluar më datë 25.11.2016, kurse aktakuza është ngritë më datë 29.11. 2016.
Drejtësia Sot ka monitoruar edhe mëherët këtë rast: http://www.rolpik.org/deklarohen-te-pafajshem-te-akuzuarit-per-keqperdorim-te-detyres-zyrtare/
Monitorues, Vullnet Bugaqku
Lajmet në fokus