Sot me 11 Qershor 2019, në Gjykatën Themelore në Gjakovë – Departamenti i Përgjithshëm u mbajt shqyrtimi gjyqësor të cilën e udhëhoqi Gjyqtarja Ilirjana Hoti, kundër të akuzuarës Kimete Sadrija nga Gjakova, për veprën penale kanosje të KPRK-së.
Të pranishëm ishin Prokurori i Shtetit Armend Zenelaj, e dëmtuara Ardiana Tafaj, e akuzuara Kimete Sadrija, si dhe dëshmitari Orhan Kadrija.
Gjatë shqyrtimit gjyqësor e dëmtuara Ardiana Tafaj, deklaroi se nuk i bashkangjitet ndjekjes penale, se e ka falur dhe se të njëjtën gjë e ka deklaruar edhe në seancën e kaluar, ndërsa e akuzuara Kimete Sadrija lidhur me deklaratën e të dëmtuarës, deklaroi se : “ska çka me fal, unë kam dëshmitarë që nuk kam pasur thikë, vetëm iu kam afruar kerrit dhe i kam thënë fjalën (kurvë) dhe fjalë tjera të ndyta”.
Pas kësaj, prokurori Zenelaj, i propozoi gjykatës që seancën e sotme ta ndërpresë ndaj të akuzuarës, dhe t’i lëshohet Urdhëresa për ekzaminimin psikiatrik, pasi që gjatë gjithë seancës së shqyrtimit gjyqësor është vërejtur se e akuzuara nuk është në gjendje t’i kontrollojë veprimet e saj.
Gjykata e aprovoi këtë propozim të Prokurorit, ashtu që shqyrtimi gjyqësor u shtye në afat të pacaktuar.
Sipas aktakuzës së ngritur me 14.11.2018, e akuzuara Kimete Sadrija me 25.1.2018 rreth orës 16:00 e ka kanosur seriozisht të dëmtuarën Ardijana Tafaj nga Gjakova, duke i’u drejtuar të dëmtuarës me fjalët “se kam met pre me thikë në fyt”, me qka ka kryer veprën penale të kanosjes nga KPRK.
Monitoruese: Jeta Vula
Lajmet në fokus