Në Gjykatën Themelore të Gjilanit – Departamenti i Përgjithshëm, u mbajt vazhdimi i shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarit Musa Jashari, i cili po gjykohet për veprën penale trajtim i pa ndërgjegjshëm mjekësor.
Shqyrtimi i sotëm gjyqësor i udhëhequr nga gjyqtari i vetëm gjykues Sabedin Mushica, ka vazhduar me marrjen në pyetje të të akuzuarit Musa Jashari, i cili sqaroi për disa aspekte të lëndimit masovik të kockës ku shpjegoi se termi “frakturë e keq konsoliduar” është situatë kur kocka për shkak të kuantumit (lëndimit masovik) edhe përkundër përpjekjeve të kirurgjisë ortopedike nuk është e mundur të konsolidohet në tërësin e saj sikurse para lëndimit, ndër të tjera tha se qenësore është që të ruhet ena e gjakut, rrjeta vaskulare, formacionet nervore dhe konsolidimi maksimal i mundshëm i kockës.
Pas kësaj Prokurorja e Shtetit Bahtie Ademi, propozoi të shtyhet seanca gjyqësore për shkak se është kujdestare dhe ka një rast urgjent në Stacionin Policor në Gjilan. Gjyqtari i vetëm gjykues aprovoi propozimin e Prokurores së Shtetit, dhe seanca u vendos të shtyhet për datën 12.07.2019 në ora 09:30 në të cilën seancë do të jipet fjala përfundimtare e palëve.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, e datës 01.12.2016, të cilën e përfaqëson Prokurorja e Shtetit Bahtie Ademi, thuhet se: me datën 24.05.2013, rreth orës 22:00, në Repartin e Ortopedisë në Spitalin e Gjilanit, i pandehuri ka bërë trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor ndaj të dëmtuarit SH.R (i mitur) nga Gjilani, në atë mënyrë që i dëmtuari e kishte të lënduar krahun e majtë dhe është dërguar në Emergjencën e Spitalit në Gjilan, ndalet për trajtim në repartin e Ortopedisë ku edhe i është nënshtruar operacionit, me ç’rast për shkak të një frakture të keq konsoliduar me rastin e operacionit gjendja e tij është përkeqësuar ku si pasojë e trajtimit jo adekuat i dëmtuari ka qenë i detyruar që të kërkoj trajtim mjekësor në QKUK dhe në Spitalin Amerikan.
Monitoruese: Ronita HALIMI
Lajmet në fokus