Ndërprehet seanca e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale ndaj të pandehurve Agron Ahmeti dhe Durim Krasniqi

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga

19:14 / 26 Qershor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të rënda, u mbajt shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve Agron Ahmeti dhe Durim Krasniqi.

I pandehuri Agron Ahmeti akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë truporë” dhe veprën penale “Kanosje” ndërsa i pandehuri Durim Krasniqi gjykohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Kanosje”, raporton Drejtësia Sot

Kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti ka konstatuar se në seancën e sotme mungon i pandehuri Durim Krasniqi, mirëpo duke pasur parasysh se i njëjti në seancën e shqyrtimit fillestar ka pranuar fajësinë, dhe gjykata nuk ka veçuar shkresat e lëndës atëherë kjo nuk është pengesë procedurale që seanca të mbahet dhe ai të ftohet në seancën e fjalës përfundimtare.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të rënda, përfaqësuar nga prokurori i shtetit Ilaz Beqiri thuhet se: “I pandehuri Agron Ahmeti me datë 30.04.2017 rreth orës 12:00 në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme që kishte me të dëmtuarin Besim Ibrahimi e ka sulmuar atë, dhe i kishte shkaktuar thyerjen e dyfishtë të kockës së mjekrës”.

Poashtu në pikën dy të aktakuzës thuhet se “Të pandehurit Agron Ahmeti dhe Durim Krasniqi”, me datë 02.05.2017, rreth orës 12:00 në rrugën “Bajram Bahtiri”, kanë kanosur Ejup Ibrahimin (vëllaun e të dëmtuarit) me qëllim të frikësimit.

Në pyetjen e gjyqtarit drejtuar të pandehurit Agron Ahmeti se a e pranon fajësinë, i pandehuri u përgjigj me Jo nuk e pranoj veprën penale që më ngarkohet në barrë.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës në fuqi për veprën penale “Lëndim i rëndë truporë” nga neni 186 paragrafi 3 nënparagrafi 2 parasheh dënimin me burgim prej tre (3) deri në 10 (dhjetë) vjet.

Ndërsa Kodi Penal i cili ka qenë në fuqi në kohën kur është kryer vepra penale, për veprën penale “Lëndim i rëndë truporë” parasheh dënimin me burgim jo më pak se tre (3) vjet, (duke mos specifikuar maksimumin e dënimit për këtë vepër penale).

Sipas prokurorit Hivzi Bajraktari në këtë seancë nuk mund të bëhet rikualifikimi/ricilësimi i veprës penale. Sipas tij lëndimet trupore të të dëmtuarit duhet të ekzaminohen nga eksperti mjekoligjor (edhe një herë pas 6 muajsh), dhe pastaj pas ekspertizës mjekoligjore të bëhet rikualifikimi i veprës penale.

Prokurori ka propozuar që në seancën e radhës të ftohet edhe eksperti mjekoligjor doktor Naim Uka.

Pas kësaj trupi gjykues ka ndërprerë seancën e shqyrtimit gjyqësor dhe vazhdimi i seancës gjyqësore është caktuar për datën 04.09.2019 ora 13:00.

Shënim:

Çështja e rikualifikimit të veprës penale dhe zbatimit të Kodit Penal më të favorshëm për të pandehurin ka rëndësi edhe për vazhdimin e gjykimit se i njëjti a do të vazhdohet në Departamentin e Krimeve të Rënda apo do të adresohet në Departamentin e Përgjithshëm.

Monitoruese: Zanë Buçinca